Shtyhet seanca për ndryshimin e masës së sigurisë për deputetin Doshi

Gjykata e Lartë ka vendosur të shtyjë për në datën 28 Prill seancën gjyqësore për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj deputetit Tom Doshi, të akuzuar për kallëzim të rremë.
Sipas burimeve nga kjo Gjykatë mësohet se arsyeja e kësaj shtyrje erdhi për shkak të mungesës së dy gjyqtarëve, Guxim Zenelaj dhe Artan Zeneli, ky i fundit ndodhet në një vizitë pune në Hagë.
Avokatët e Doshit kishin depozituar pak ditë më parë kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë nga “Arrest me Burg” në “hetim në gjendje të lirë”, pasi sipas tyre akuza e ngritur ndaj Doshit nuk qëndron. Sipas avokatëve të Doshit, ai akuzohet se ka bërë “kallëzim të rremë” në një kohë kur vetë deputeti nuk ka bërë asnjë kallëzim në prokurori dhe në polici. Deputeti i Qarkut të Shkodrës, akuzohet dhe për dy vepra penale të tjera, për të cilat sipas avokatit Meçi ai nuk i ka kryer dhe nuk ekziston në dosje asnjë provë bindëse.
Kujtojmë, se së bashku me Doshin i akuzuar për kallëzim të rremë është edhe Deputeti tjetër i qarkut të Shkodrës, Mark Frroku. Të dy këta deputet, më 28 Mars dolën përpara trupit gjykues të përbërë nga pesëshja e Guxim Zenelaj, Aleksandër Muskaj, Admir Xhanxa, Majlinda Andrea dhe Artan Zeneli, të cilët pas marrjes në shqyrtim të kërkesës së prokurorisë vendosën arrest me shtëpie për Doshin dhe Deputetin Mark Frrokun. Por ky i fundit u përballë sërish me gjykatën për disa akuza të tjera, të cilat sollën dhe forcimin e masës së sigurisë nga “Arrest Shtëpie” në “Arrest me burg”, që është dhe aktualisht.

Advertisement