Tiranë – Kushtetuesja rrëzon kërkesën për largimin e 4 gjyqtarëve

Viktor Guni i kërkoi gjykatës përjashtimin nga trupi gjykues të gjyqtarëve Vladimir Kristi, Petrit Blloci, Kujtim Puto dhe Fehmi Abdiu. Sipas tij, këta gjyqtarë kanë dhënë vendime politike në kohën e diktaturës dhe për këtë arsye, nuk mund të jenë kompetentë për të shqyrtuar kushtetueshmërinë e ligjit të Dosjeve, pasi ata shfaqin hapur konflikt interesi në lidhje me të. “Të përjashtohen nga shqyrtimi Kujtim Puto, Fehmi Abdiu, Vladimir Kristo dhe Petrit Plloci, pasi këta persona kanë marrë pjesë në gjykime politike dhe nuk mund të jenë pjesë e këtij procesi”, u shpreh Guni. Kërkesa e qeverisë është cilësuar antikushtetuese nga përfaqesuesja ligjore e PS-së Shega Ligori si dhe nga përfaqesues të Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe Shoqata e Prokuroreve. Pasi u tërhoq trupi gjykues i Gjykatës Kushtetuese mori vendimin se kërkesa e palës kërkuese nuk ishte e mbështetur me ligj dhe se pretendimet e saj ishin hipotetike. “Kërkesa e qeverisë është e pambështetur në ligj”, thuhet në reagimin e Gjykatës Kushtetuese mbi një fakt të tillë. “Pretendimet e qeverisë janë të pabazueshme në ligj dhe misioni i gjykatës sonë është kushtetues”, ka vijuar më tej sqarimi zyrtar i Kushtetueses për këtë çështje. Gjithashtu Gjykata Kushtetuese shqyrton sot tre kërkesat e depozituara nga Partia Socialiste, Shoqata e Prokurorëve dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Socialistët kërkojnë që të paktën 28 nene nga ky ligj të shpallen si antikushtetuese. Në padinë e tyre PS i referohet neneve që kanë të bëjnë me ndarjen e pushteteve, të drejtën e punës, për të mbrojtur nderin njerëzor, pafajësisë së prezumuar, për të mos u ndëshkuar dy herë për një veprim dhe të drejtën për t’u zgjedhur. Përfaqësuesit e prokurorëve kanë renditur 6 pika si argumentet kryesore me të cilat ata kërkojnë shfuqizimin e ligjit të dosjeve në Gjykatën Kushtetuese. Sipas prokurorëve, ligji në fjalë bie ndesh me parimin e prezumimit të pafajësisë dhe me ligjin organik të Prokurorisë, i cili është miratuar me shumicë të cilësuar votash, plot 84 të tilla, pra me më shumë mbështetje parlamentare sesa ligji i dosjeve që u miratua me shumicë të thjeshtë. Prokurorët pretendojnë gjithashtu se ligji i dosjeve cënon rëndë parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve, pasi është një ligj i iniciuar nga qeveria i miratuar nga Parlamenti dhe që shtrin efekte specifike mbi gjyqësorin dhe prokurorinë. Pika e fundit e argumenteve të padisë së prokurorëve, thekson se ligji i dosjeve cënon të drejtën për të kandiduar, për t’u zgjedhur apo për të konkuruar për ata prokurorë që preken nga ligji. Në padinë e tij Komitetit Shqiptar të Helsinkit, pretendon se ligji i lustracionit “bie ndesh me dispozitat kushtetuese dhe me disa ligje në fuqi”. Për rrjedhojë, KSHH kërkon shfuqizimin e tij si të papajtueshëm me Kushtetutën. Ligji i dosjeve, i miratuar në dhjetor 2008 vetëm me votat e mazhorancës, ka qenë tema më e nxehtë e politikës së këtij fillim viti. Opozita e konsideron një ligj të egër dhe joevropian, duke akuzuar qeverinë se me ligjin e dosjeve synon të godasë prokurorinë dhe gjykatat. Ndërkaq, maxhoranca pretendon se ligji përmbush gjithë parametrat dhe është sipas variantit çek. Çekia, shteti që mban këtë vit presidencën e radhës së Bashkimit Europian, ka shprehur rezervat e veta sa i përket ligjit. Nga ana tjetër si qeveria amerikane ashtu dhe BE nëpermjet njoftimeve zyrtare i kanë bërë thirrje qeverisë të rishikojë ligjin e domosdoshëm për një shtet që ka vuajtur diktaturën për vite me radhë.

Advertisement