Qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës angazhohen përmes 11 marrëveshjeve, memorandumeve dhe protokolleve të thellojnë partneritetin strategjik në disa fusha të rëndësishme, si në fushën e sigurisë, shfrytëzimin e përbashkët të pajisjeve për kontrollin e kufirit, për bashkëpunim financiar, për lehtësimin tregtar, në bujqësi, kulturë, në fushën e arsimit, etj.1. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunim të Ndërsjellë në Fushën e Sigurisë, nënshkruar më 23.03.2015.
Palët, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të nivelit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë Palët, në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe nëpërmjet autoriteteve të tyre kompetente angazhohen të bashkëpunojnë në fushën e parandalimit të kërcënimeve ndaj rendit dhe sigurisë publike, të japin ndihmë të ndërsjellë në parandalimin dhe zbulimin e veprave penale dhe në kërkimin e personave që janë autorë të këtyre veprave penale.
2. Protokoll ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Zbatimin e Marrëveshjes Kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës përBashkëpunimin në Nxitjen dhe Lehtësimin e Tregtisë, nënshkruar më 23.03.2015 dhe hyrë në fuqi në të njëjtën datë.
Ky Protokoll synon të lehtësojë zbatimin e Marrëveshjes kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëpunimin në nxitjen dhe lehtësimin e tregtisë, nëpërmjet harmonizimit të punës në fushën e rregullave teknike, standardizimit, sigurimeve ushqimore dhe veterinare, etj.
3. Memorandum ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës për Bashkëpunimin në Fushën e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, nënshkruar më 23.03.2015 dhe hyrë në fuqi në të njëjtën datë.
Synon forcimin dhe nxitjen e mëtejshme të bashkëpunimit në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural. Do të krijohet një Grup Pune i cili do të hartojë planin e veprimit për zbatimin e Memorandumit.
4. Memorandum Mirëkuptimi për Forcimin e Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Financave të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës, nënshkruar më 23.03.2015 dhe hyrë në fuqi në të njëjtën datë.
Palët do të bashkëpunojnë për përmirësimin e kushteve të të bërit biznes në të dy vendet, duke përmirësuar procedurat fiskale dhe doganore dhe, për sa është e mundur, përafruar nivelet taksave. Memorandumi ka për qëllim të bashkërendojë punën e administratave fiskale dhe doganore, si dhe organeve përgjegjëse për politikat fiskale për të ngushtuar dallimet që ekzistojnë në ambientin ekonomik në secilin vend. Nga këto përmirësime do të përfitojë biznesi, duke shkuar drejt një hapësire ekonomike me dallime të kufizuara.
5. Marrëveshje Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Diasporës së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës për Organizimin e Përbashkët të Mësimit të Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë dhe në Mërgatë, nënshkruar më 23.03.2015 dhe hyrë në fuqi në të njëjtën datë.
Qëllimi i kësaj Marrëveshjeje Bashkëpunimi është organizimi i mësimit të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në mërgatë, duke konsideruar angazhimin dhe interesin e përbashkët për mbështetjen e mërgatës në ruajtjen, zhvillimin dhe promovimin e identitetit kulturor, gjuhësor dhe arsimor.
6. Marrëveshje Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës për Bashkërendimin Institucional për Përparimin dhe Zhvillimin Profesional të Mësimdhënësve në Arsimin Parauniversitar. Nënshkruar më 23.03.2015 dhe hyrë në fuqi në të njëjtën datë.
Nëpërmjet kësaj Marrëveshje Palët synojnë bashkërendim institucional të përparimit dhe zhvillimit profesional të mësimdhënësve në arsimin parauniversitar, nëpërmjet fuqizimit të bashkëpunimit institucional për zhvillimin profesional të mësimdhënësve, drejtuesve të shkollave dhe shërbimit profesional në arsimin parauniversitar për zbatimin e kurrikulës, bazuar në kompetenca; hartimit të dokumenteve të përbashkëta për trajnimin e burimeve njerëzore në arsimin parauniversitar; shkëmbimit të përvojave dhe takimeve të përbashkëta midis institucioneve arsimore të të dy vendeve në fushën e kurrikulës dhe trajnimit.
7. Marrëveshje Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës në Fushën e Arsimit të Lartë dhe Kërkimin Shkencor, nënshkruar më 23.03.2015 dhe hyrë në fuqi në të njëjtën datë.
Qëllimi i kësaj Marrëveshjeje është bashkëpunimi institucional në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, nëpërmjet angazhimit të Palëve në harmonizimin e legjislacioneve të tyre në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.
8. Marrëveshje Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Diasporës së Republikës së Kosovës, nënshkruar më 23.03.2015 dhe hyrë në fuqi në të njëjtën datë.
Ky Memorandum synon nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës në programet “Ditët e Kulturës Shqiptare në Diasporë” dhe themelimit të përbashkët të “Qendrave Kulturore në Diasporë”. Palët marrin përsipër të hartojnë programe të veçanta për realizimin në detaje të qëllimit të këtij memorandumi, në të cilat do të përcaktohen saktë detyrimet dhe të drejtat e secilës palë.
9. Deklaratë e Përbashkët ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës përBashkëpunim në Fushën e Zhvillimit Rajonal në Zonat Ndërkufitare Shqipëri-Kosovë, nënshkruar më 23.03.2015.
Kjo Deklaratë synon forcimin e bashkëpunimit për të përforcuar aktivitetin ekonomiko-social në rajonin ndërkufitar Shqipëri-Kosovë në fushat e turizmit, bujqësisë, energjisë, infrastrukturës, shërbimeve publike, mjedisit etj.
10. Protokoll ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës në Kosovës për Ndjekjen e Menjëhershme Ndërkufitare, nënshkruar më 23.03.2015 dhe hyrë në fuqi në të njëjtën datë.
Objekti i këtij Protokolli është përcaktimi i saktë i kushteve për implementimin e ndjekjes konstante ndërkufitare, përcaktimin e shkeljeve kriminale për të cilat ndjekja konstante ndërkufitare është e pranueshme, vendndodhjen dhe limitet kohore të ndjekjes konstante ndërkufitare, mbajtja e armëve të shërbimit, trajtimi i personave të arrestuar gjatë ndjekjes konstante ndërkufitare, dhe përdorimi i masave shtrënguese, procedurat për të ndjekur pas përfundimit të ndjekjes konstante ndërkufitare, ndjekja konstante ndërkufitare për arsye të tjera dhe kushte të tjera për implementimin efikas dhe efektiv të ndjekjes konstante ndërkufitare.
11. Protokoll ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës në Kosovës mbi Shfrytëzimin e Përbashkët të Pajisjeve për Kontrollin e Kufirit. Nënshkruar më 23.03.2015 dhe hyrë në fuqi më 22.04.2015.
Palët synojnë të vendosin në dispozicion për përdorim të përbashkët, pajisje teknike, siç janë kamera për mbikëqyrje të kufirit, kamerat termike, motoçikleta dhe pajisje të tjera, për të cilat bien dakord autoritet në nivel rajonal, bazuar në këtë Protokoll dhe legjislacionet e tyre kombëtare. Qëllimi i këtij Protokolli është përcaktimi i mënyrës së shfrytëzimit të përbashkët të pajisjeve që janë në pronësi të palëve, si dhe përshkrimi i përgjithshëm i procedurave dhe rregullave që kanë të bëjnë me shfrytëzimin e përbashkët të pajisjeve dhe mjeteve.
12. Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës në Kosovës mbi Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Kontrollit të Brendshëm, nënshkruar më 23.03.2015 dhe hyrë në fuqi në të njëjtën datë.
Palët nëpërmjet këtij Memorandumi synojnë të përmirësojnë bashkëpunimin në fushën e shërbimeve të kontrollit të brendshëm në të dy vendet, me qëllim rritjen e efektivitetit dhe efiçencës së luftës kundër korrupsionit në rradhët e policisë, si dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të individit. Bashkëpunimi duhet të përfshijë masa parandaluese, por edhe represive për të luftuar sjelljen korruptive të oficerëve të policisë, duke vendosur theksin në ata punonjës të policisë të cilët janë të përfshirë në krimin e organizuar, trafikimin e qenieve njerëzore dhe emigracionin e paligjshëm, prodhimin e paligjshëm, transportin dhe trafikun e lëndëve narkotike, e gjithashtu të respektojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut konform ligjeve në fuqi.