Ka qënë një klimë e tensionuar e me debate të forta takimi i tetë i Komitetit Ndërparlamentar, Shqipëri-BE.
Opozita kundërshtoi formatin e përzgjedhur ku ishin ftuar të raportonin për arritjet e maxhorancës 4 ministrat; ai i Brendshëm, i Jashtëm, i Integrimit dhe Ministri i Drejtësisë.
Debati arritit kulmin kur bashkëkryesuesja e këtij Komiteti, Monica Macovei, tha se opozita mund të shprehte shqetësimin e saj nëpërmjet pyetjeve, drejtuar ministrave të qeverisë.
Aldo Bumçi – Deputet i PD: “Ka kaluar një orë e gjysmë nuk mund të na imponoheni duke folur këtu për qeverinë dhe nuk po merremi me prioritete, nuk po rrespektoni rregullat e një debati parlamentar. Për herë të parë kemi 4 ministra në këtë takim. Mendojmë se nuk është një format i duhur dhe as i balancuar. Nuk mund të vijojmë me këtë format që të bëjmë vetëm pyetje. Na lini të marrim fjalën dhe të flasim për çështjen tona. Kjo nuk është demokraci. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në traditën e takimeve të këtij Komiteti”.
Monica Macovei – Kryetarja e Delegacionit për Shqipërinë në PE: “Është koha për të bërë pyetje. Kemi ardhur si miq të mbështesim Shqipërinë për integrimin. Nëse keni kritika bëjini. Bëjini pyetje. Ju lutem bëni çfarë doni. Ministrat janë këtu. Po i japim fjalën të gjithëve”.
Pas debatit dhe largimit të ministrave nga takimi, mbledhja ju rikthye normalitetit, ku opozita ripërsëriti shqetësimin e saj për dekrmininalizimin e parlamentit, reformën në drejtësi dhe emërimet në administratë.
Për çështjen e dekriminalizimit dhe zbatimin e marrëveshjes së 24 Dhjetorit u fol edhe në takimin që Delegacioni i Parlamentit Evropian pati me Presidentin e Republikës. Kreu i shtetit vuri në dukje se progresi i reformave është ngushtësisht i lidhur me klimën politike dhe shoqërore.
Në këtë kontekst, ai u shpreh se do të qëndrojë fort në mbështetje të parimeve dhe standardeve evropiane për dekriminalizimin e politikës dhe administratës, për luftën pakompromis ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe për avancimin e reformës në sistemin e drejtësisë, e cila ende nuk po njeh zhvillim me ritmet e duhura.
Duke iu referuar marrëveshjes së 24 Dhjetorit, Presidenti Nishani siguroi anëtarët e delegacionit se do të vazhdojë të përdorë të gjithë autoritetin që buron nga Kushtetuta për të kërkuar zbatimin rigoroz dhe të paekuivok të saj.