Kryemadhi: Përballem me Doshin dhe Berishën, nuk e njoh “Tonin”

Monika Kryemadhi, që pretendohet nga deputeti Tom Doshi se ka njohje me “Tonin e Kombinatit”, është paraqitur dje në mbrëmje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku ka dhënë dëshminë e saj me atë që di rreth këtij atentati.

Pas rreth 2 orë e 10 minuta në Prokurori, Kryemadhi pasi doli nga Prokuroria tha për mediat se: “Meqë malësori Tom dhe malësori Sali Berisha merren me gratë dhe fëmijë isha në prokurori për të dhënë shpjegimet. Jam gati të ballafaqohem në prokurori me Tomën dhe gjithë shokët e tij për çdo problem që ai ka. Meqënëse përmenden gjithë familjarët dua ta siguroj Tomën se gjyshja ime ka vdekur, nëse mendon se do ta shpëtojë në rastin e tij”.
Bashkëshortja e kreut të Kuvendit nuk iu përgjigj pyetjes nëse e njeh apo jo Fation Skenderin. Sipas Tom Doshit zonja Kryemadhi kishte njohje me Fatjon Skënderin, personi që ndërmjetësonte porosinë e vrasjes.
Sipas Tom Doshit, zonja Kryemadhi dinte edhe se ai ishte pronar i lokalit “Viva” në zonën e ish Bllokut, vend në të cilin deputeti pretendon se u organizua vrasja e tij. Shumë pranë lokalit, ndodhet dhe banesa e Ilir Metës në qendër të ish-bllokut.
Dëshmia e Monika Kryemadhit ka zgjatur deri në orët e vona të natës së djeshme, ndërkohë që nuk është arritur të mësohet rreth asaj që ka dëshmuar Kryemadhi. Lidhur me këto hetime prokuroria pritet që në ditët në vijim do marrë tabulatet telefonike të shumë prej dëshmitarëve për të verifikuar thënien e tyre, ndërkohë që në pyetje do merren dhe shumë persona të tjerë, të cilët kanë rënë në dijeni të këtij atentati të mundshëm, kohë më parë dhe që nuk e kanë referuar në prokurori.

Advertisement