Dalja e lumit Vërdov nga shtrati i merr jetën 38-vjeçares

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Pogradec, ku si pasojë e daljes nga shtrati i lumit Vërdov ka humbur jetën një 38-vjeçare.

Burime nga Policia e qytetit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit.
38-vjeçarja, Monika Abrashi ishte jashtë oborrit të shtëpisë së saj, kur dalja e lumit nga shtrati e ka marrë në rrjedhën e tij.
Policia e lajmëruar menjëherë ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur punën për gjetjen e trupit të viktimës.
Burimet policore konfirmojnë se Abrashi është gjetur pak orë më pas pranë liqenit të Pogradecit, rreth 5 kilometra larg vendit ku lumi e mori në rrjedhën e tij. Pas një pune intensive trupi i saj është nxjerrë nga forcat e FNSH-së dhe polumbare nga Tirana.
Familjarë të viktimës në rrëfimet e tyre në polici kanë bërë të ditur se 38-vjeçarja kishte dalë nga shtëpia për të vendosur disa gurë në pjesën e hyrjes së shtëpisë, nga ku pritej vërshimi i ujit për të mbrojtur nga përmbytja banesën e saj. Por koha nuk ka qenë në favor të Abrashit, duke bërë që rrjedha e lumit të ishte e shpejtë, aq sa të ishte dhe fatal për jetën e 38-vjeçares.

Advertisement