Doganat shqiptare me “kanal jeshil”

Kanali jeshil, ose i quajtur ndryshe përzgjedhja pa kontroll doganor, është procedura e re doganore e cila do të nisë të aplikohet edhe në Shqipëri me qëllim uljen e kostove dhe reduktimin e kohës që bizneset kalojnë në doganë, por edhe shmangien e kontaktit fizik mes doganierit dhe biznesit.

Kryeministri Edi Rama theksoi se kjo do të shërbejë për t’i transformuar të gjitha pikat e hyrjes dhe të daljes së mallrave në Shqipëri, jo në pika torturash dhe pengmarrjeje, por në pika të një funksionimi të shpejtë dhe të efektshëm të shërbimeve. “10 minuta punë për të mbaruar punë, pas një epoke ku në letra minimum ishte 3 orë, por në realitet shkonte dhe tre ditë. Një mënyrë për të shpërblyer mundin, djersën, sakrificat, dhe njëkohësisht raportin korrekt me ligjin të gjithë atyre sipërmarrjeve shqiptare që janë torturuar nëpër dogana dhe janë torturuar përballë gjithfarëlloj hajdutësh dhe sekserësh. Kjo është një epokë e mbyllur. Epoka e re që kemi hapur do të vazhdojë të sjellë risi në funksion të lehtësimit total të tregtisë në këtë vend, për eksportuesit dhe importuesit, për të gjithë ata që nuk kanë kohë për të humbur në doganë, pasi kohën e kanë të çmuar dhe me kohën e tyre krijojnë vende pune, krijojnë mirëqenie për të gjithë të tjerët.”
Ministri i Financave Shkëlqim Cani tha se përfitimi i thjeshtimit të kësaj procedure është i përbashkët, si për bizneset ashtu dhe për doganat, por duke mos neglizhuar për asnjë çast zbatimin e përpiktë të ligjit. “Përzgjedhja e biznesit për kanalin jeshil ose jo, ka të bëjë shumë dokumentacionin, por është automatike, pra nuk është përzgjedhje njerëzore, duam këtë apo atë.”
Drejtorja e Përgjithshme e Doganave Elisa Spiropali theksoi se kanali jeshil dhe operatorët ekonomikë të autorizuar konsiderohen një revolucion për sa i përket ndryshimit të mendësisë së doganës në raport me bizneset. “Është e domosdoshme të theksohet se kanali jeshil dhe operatorët ekonomikë të autorizuar konsiderohen një revolucion për sa i përket ndryshimit të mendësisë së doganës në raport me bizneset. Nga roli i kontrollorit apo përndryshe policit, që dogana ka pasur për shumë vite në kontroll, tani ka kaluar në rolin e partnerit të biznesit dhe thjeshtimit të procedurave doganore në funksion të lehtësimit të tregtisë së ndershme, por nga ana tjetër, dhe sofistikimit të mënyrave për kontrollin e tregtisë së paligjshme.”

Advertisement