Laboratori i kokainës në Elbasan, kapet dhe nipi i Enver Hoxhës

Një operacion ndërkombëtar me përfshirjen e Policisë së Shtetit, INTERPOL-it dhe EUROPOL-it ka çuar në shkatërrimin e një laboratori droge në Labinot-Fushë në Elbasan, ku janë sekuestruar 121 kg lëndë narkotike e llojit kokainë, ndërsa janë vënë në pranga 8 persona, mes tyre edhe Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha.

Ky i fundit është një emër i njohur për publikun shqiptar, ndërsa krahas tij në prangat e policisë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Xibraku”, kanë rënë edhe 5 shtetas shqiptarë si dhe 2 shtetas kolumbianë
Shqiptarët e arrestuar janë:
Gentian Gjonaj nga Elbasani
Arian Dalipi nga Elbasani
Ilir Hyseni nga Elbasani
Klemend Dalipi nga Elbasani
Ermal Hoxha nga Tirana
Sajmir Batku nga Tirana
Dy kolumbianët e arrestuar:
Cezar Avila nga Kolumbia
Walther Morena nga Kolumbia

Gjithashtu në aksionin ndërkombëtar të policisë janë zbuluar dhe sekuestruar ndër të tjera 3 kg lëndë narkotike e papërpunuar, 3-4 ton përzierës, rreth 300 mijë euro cash si dhe armë zjarri. Nga informacionet e marra nga policia bëhet e ditur se koka e grupit kriminal ishte Ilir Hyseni, i cili mësohet se është përgjuar i pari nga ana e autoriteteve të rendit. Më pas pista e përgjimeve është shtrirë edhe në personat e tjerë, ku i dyti është përgjuar edhe Hoxha, çka ka çuar më pas në zbulimin e grupit të trafikantëve. Mësohet se laboratori i drogës gjendej brenda një ish-magazinave të rezervave të shtetit të braktisura dhe jofunksionale që në vitet 1997, në zonën e Labinotit-Fushë, dhe ku operonte një firmë e cila grumbullonte bimë medicinale. Dyshohet se në mesin e këtyre bimëve medicinale, të cilat vinin nga vendet e Amerikës Latine, transportohej edhe lëndë narkotike e cila më pas përpunohej në këtë laborator dhe më pas për t’u eksportuar drejt vendeve të Europës. Sinjalizimi për këtë laborator droge është dhënë nga ana e autoriteteve gjermane ndërsa i gjithë operacioni i zbulimit të këtij laboratori droge është bërë i mundur falë hetimeve prej të paktën 6 muajsh të kryera nga ana e INTERPOL dhe EUROPOL. Por nga ana tjetër operacioni për shkatërrimin e tij mësohet se është kryer nga ana e policisë gjermane. Sipas burimeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda organizata kriminale ka investuar 20 mln euro pasuri të patundshme në qytete të ndryshme të Shqipërisë, të cilat bëhet e ditur se do të sekuestrohen. Ndërkaq, hetimi për zbulimin e rrjetit të trafikut dhe të personave të tjerë të përfshirë, është shtrirë edhe në qytetet Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Vlorë. Në vendin e ngjarjes janë forca të shumta policie, ku po bëhen analiza për të kryer investigime lidhur me sasinë e drogës e cila është zbuluar në këtë laborator droge në Labinot-Fushë. Banorët jane treguar se ish-magazinat e rezervave të shtetit janë privatizuar, ndërsa ambientet e tyre, i janë dhënë me qera të njëjtit person, emri i të cili nuk dihet nga banorët. Sipas tyre, në magazinën e bimëve medicinale, brenda të cilit operonte firma, banorët kishin parë të punonin 4 femra dhe një mashkull. Sipas të dhënave dy magazinat përdoreshin njëra për bimët medicinale, dhe tjetra për përpunimin e drogës. Po ashtu bëhet e ditur se punëtorët, nuk dinin se çfarë bëhej në magazinën ku përpunohej droga pasi ata nuk lejohej që të hynin brenda saj, por vetëm të punonin në magazinën ku grumbulloheshin bimët medicinale. Nga ana tjetër, ambienti i laboratorit të drogës është i survejuar me kamera në të gjitha këndet, çka bën të mendosh se bëhet fjalë për një rrjet të mirëorganizuar të trafikut të lëndëve narkotike.

Advertisement