Duke nisur që nga ky muaj, tarifat e kursit për marrjen e lejes së drejtimit të automjetit do të rriten për shkak se ndryshimet e bëra në Kodin Rrugor vitin që shkoi kanë hyrë tashmë në fuqi.
Ndryshimet në Kod parashikojnë orë më të gjata për kursantët e për rrjedhojë tarifa më të larta. Kursi për marrjen e patentës aktualisht kushton 37 mijë lekë dhe me ndryshimet e reja ligjore, ata që do të tentojnë të bëjnë kursin, që nga një janari do të paguajnë më shumë se 50 mijë lekë. Ndryshimet ligjore në Kodin Rrugor janë botuar tashmë në Fletoren Zyrtare. Kodi Rrugor ka ndryshuar procedurat sesi kursantët ushtrohen në drejtimin e mjetit dhe afatet që ata kanë për të dhënë provat praktike dhe teorike. Për më tepër, qytetarët, të cilët duan të kryejnë kursin e drejtimit të mjetit, nuk janë të detyruar të regjistrohen në zonën ku kanë Gjendjen Civile. Një instruktor autoshkolle duhet të ketë një moshë minimale 30 vjeç, si edhe 10 vjet eksperiencë për kategorinë e mjetit që instrukton kursantët, ose të një kategorie më të lartë. Ndryshimi në draftin e projektligjit, në pikën 2, të nenit 28, është heqja e moshës minimale 30 vjeç. Kodi i ri Rrugor parashikon që për kursantët, që ushtrohen për leje drejtimi të kategorive “B” (mjete motorike me kapacitet maksimal deri në 8+1), parashikohet të futet me detyrim praktika e drejtimit të mjetit në autostradë ose në rrugët interurbane në kushtet e shikimit natën. Aktualisht nuk është e detyrueshme që kursantët të ushtrohen në drejtimin e mjetit në autostradë apo në rrugë interurbane, qoftë ditën apo natën. Kodi i ri Rrugor parashikon të sanksionohet me ligj edhe regjistrimi në lejedrejtim nëse praktika e ushtrimit të mjetit, në fazat e përgatitjes për marrjen e patentës, është kryer me apo pa kuti shpejtësie automatike (me marshe manual apo automatike). Mbajtësit e lejedrejtimit do të lejohen të drejtojnë vetëm mjetet me specifikën e caktuar (me ose pa marshe manuale). Provat praktike mund të jepen deri në 5 herë, brenda një afati kohor prej 6 muajsh, që nga data e lëshimit të autorizimit, sipas të cilit kursanti mund të japë provat praktike. Kjo është procedura ligjore aktuale sipas pikës 6, të nenit 120, të Kodit Rrugor. Ndërkaq, ky afat kohor pritet të shkojë deri në 12 muaj, sipas pikës 6, të nenit 28, të draftit të projektligjit për ndryshimin e Kodit. Po ashtu një ndër ndryshimet në Kodin Rrugor është edhe marrja e lejes së drejtimit. Është kërkuar që të ketë kontrolle shëndetësore dhe psikike për kandidatët që do pajisen me leje drejtimi. Aftësimi i duhur dhe përgjegjshmëria e drejtuesve të mjeteve është parakusht për rrugë më të sigurta. Për këtë, disa prej ndryshimeve të miratuara në Kodin Rrugor konsistojnë në përafrimin e legjislacionit europian për lejet e drejtimit të mjeteve rrugore. Më konkretisht, do të ketë kërkesa të përmirësuara ndaj kandidatëve për lejedrejtimi përsa i përket kontrollit shëndetësor dhe psikik. Gjithashtu, sistem i ri i lejeve të drejtimit do të konsistojë në zbatimin e sistemit të pikëve për lejet e drejtimit, duke synuar kështu rritjen e përgjegjshmërisë së drejtuesve. Ndryshimet në Kod do të detyrojnë drejtuesi të pajisin mjetet me ndenjëse të posaçme për transportin e fëmijëve deri në 12 vjeç.