Rama shemb pasurinë e qytetarëve, favorizon biznesin e deputetit të tij

Partia Demokratike, përmes deputetit Gjergji Papa, denoncoi sot prishjen e 53 ndërtimeve në Hudenisht (Pogradec), të cilat, sipas saj, po bëhen për arsye klienteliste dhe korruptive.

“Pronat e ligjshme të qytetarëve po shemben për të pastruar terrenin për fshatin turistik të deputetit dhe kryetarit të PS-së së Pogradecit. Shembja e pasurisë së 53 familjeve në Hudenisht, në kundërshtim me ligjin, pa procedurë, në shkelje të të drejtës themelore të pronës, bëhet për arsye klienteliste e korruptive të Edi Ramës”, deklaroi deputeti Papa duke shtuar se “Shtëpitë, hotelet, dhe pasuritë e qytetarëve, po prishen për t’i hapur rrugë investimit, fshatit turistik të kryetarit të Partisë Socialite për Pogradecin dhe deputetit të Edi Ramës, Ilir Xhakolli.” Ai publikoi për mediat dhe vendimin, që i jep të drejtën deputetit të PS-së të ndërtojë një ambjent për aktivitet turistik, me sipërfaqe 45 mijë metra katrorë. “Kjo është oligarkia në veprim, që merr përvetëson pasurinë publike, shkatërron pasurinë e qytetarëve, që nuk ndalet para asgjëje për interesat personale. Edi Rama refuzoi në mënyrë të përsëritur të dëgjonte zërin e banorëve të Hudenishtit, që kanë investuar mundin e djersën e jetës, refuzoi të dëgjonte padrejtësinë që po u bëhej. Po ja ku del e vërteta. Nuk kemi të bëjmë thjesht me arrogancën e zakonshme, me armiqësinë që kryeministri tregon ndaj qytetarëve. Por kemi të bëjmë me biznesin e tij dhe të deputetit të tij. Ky korrupsion tronditës, nuk do të lejohet. Ne ftojmë qytetarët ta kundërshtojmë me cdo mjet.”

Advertisement