Kuvend, në nisje të sesionit të ri pritet zgjedhja e Guvernatorit të BSH-së

Kuvendi do të rinisë punimet në javën e tretë të muajit janar 2015, ku zgjedhja e Guvernatorit të Bankës së Shqiperisë pritet të jetë një nga zhvillimet e para në punimet e këtij sesioni.

Në fund të dhjetorit, Kuvendi më në fund plotësoi tre vende të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës Qendrore, dy prej të cilëve qëndronin vakantë prej një viti. Tonin Kola dhe Natasha Ahmetaj ishin emrat e përzgjedhur nga mazhoranca në Kuvend, ndërsa Gent Sejko erdhi si propozim i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës Qendrore. Sejko është dekretuar njëkohësisht si Guvernator nga Presidenti i Republikës dhe kandidatura e tij pret të votohet në janar nga Kuvendi. Këto votime çojnë drejt rikthimit në normalitet të funksionimit të organit më të lartë drejtues të Bankës së Shqipërisë, që këtë verë u godit nga skandali i përvetësimit të mbi 700 milionë lekëve në departamentin e Emisionit, ngjarje që çoi edhe në shkarkimin e ish-Guvernatorit Ardian Fullani. Sistemi bankar dhe financiar ndodhet para sfidave të rëndësishme, që kërkojnë një rol aktiv dhe të vendosur të Bankës Qendrore. Viti 2014 solli zhvillime pozitive, në kuptimin e rikthimit të rritjes së kredisë dhe stabilizimit të kredive me probleme. Një zhvillim më specifik këtë vit do të jetë hyrja në fuqi e rregullores së re për mjaftueshmërinë e kapitalit të bankave, rregullore që vendos më shumë kërkesa dhe ndryshon rrënjësisht mënyrën e llogaritjes së kapitalizimit. Vitin e kaluar edhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare kaloi përmes ndryshimesh të rëndësishme në administrim, të këshilluara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Ndryshimet ligjore sanksionuan ndarjen e organeve menaxhuese nga ato mbikëqyrëse. Në fund të dhjetorit, Enkeleda Shehi u votua si drejtore ekzekutive, ndërsa Mimoza Kaçi si nëndrejtore. Arjan Salati do të jetë anëtar joekzekutiv i Bordit, që sipas ligjit të ri do të ketë pesë anëtarë. Edhe AMF ndodhet para sfidave serioze, që nga rregullimi i tregut problematik të sigurimeve, deri te vendosja e një kuadri më rigoroz mbikëqyrës për fondet e investimeve. Në tregun e sigurimeve nevojiten ndërhyrje në segmentin më të rëndësishëm, atë të sigurimit të detyrueshëm motorrik. Autoriteti i Konkurrencës ka kërkuar zbatimin sa më të shpejtë të sistemit bonus-malus dhe miratimin e akteve nënligjore që do të mundësonin pagesën nga vetë kompania e të dëmtuarit për dëmet të shkaktuar nga një palë e tretë. Misioni i vlerësimit të sistemit financiar i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, kërkoi vitin e kaluar forcimin e mbikëqyrjes për fondet e investimeve, duke përcaktuar norma rregullatore të kapitalizimit dhe likuiditetit.

Advertisement