Festohet Krishtlindja, urime për paqe dhe mirësi

Besimtarët e Krishterë festojnë sot Krishtlindjen.

Qindra besimtarë katolikë u mblodhën në katedralen e “Shën Palit” në kryeqytet për të kremtuar këtë moment të rëndësishëm në kalendarin kristian mes lutjeve, ndezjes së qiririt dhe faljes siç është dhe rituali i kësaj dite. Mesha u drejtua nga arkipeshkovi katolik Imzot Rrok Mirdita i cili uroi besimtatrët për më shumë paqe, mirësi dhe afrimitet me njëri-tjetrin. Imzot Rrok Mirdita në mesazhin e tij për festën kërkoi që njerëzit ta ndihmojnë njëri-tjetrin dhe të sakrifikojnë për të ngritur një jetë në paqe dhe bashkëpunim. Ndërkohë në orët e para të ditës së sotme besimtarët ortodoksë mbushën Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë për të festuar Lindjen e Krishtit. Mesha u drejtua nga Kryepeshkopi i Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastas Janullatos. Janullatos e ka mbajtur meshën në gjuhën greke, ashtu si çdo vit të shënimit të Krishtlindjeve, ndërsa është përkthyer në gjuhën shqipe nga një pjesëtar i Kishës. “Le të përkujdesemi që në këto ditë festive, të përjetojmë më thellë shenjtërinë dhe madhështinë e dhuratës së jetës që na e ka dhuruar Perëndia. Dhe për më tepër të shprehim mirënjohjen tonë me përpjekje të pandërprerë për zhvillimin e jetës shpirtërore”, tha kryepeshkopi Anastas. Pas meshës besimtarët morën bekimin e shenjtë me anë të ritit të Kungimit, i cili ka të bëjë me dhënien e gjakut dhe trupit të Jezu Krishtit në formën e bukës dhe verës së kuqe. Përveç meshës së shenjtë besimtarët ortodoksë kanë mundësi të vizitojnë në ambientet e Katedrales Ortodokse, kishëzën e lindjes së Krishtit. Kjo hapësirë shërben edhe për pagëzimin e besimtarëve, rit i cili afron më tepër besimtarin me Kishën dhe Zotin, duke kujtuar pagëzimin e Krishtit në lumin Jordan. Në Shqipëri, Krishtlindja rinisi të festohet pas viteve ’90-të, kur u lejua besimi fetar, i ndaluar nga diktatura.

Advertisement