Kosova feston Krishtlindjen

Kosova festoi Krishtlindjen e shtatë si shtet i pavarur, me vlerë tradicionale themeltare tolerancën dhe mirëkuptimin ndërfetar, të ndërtuar e të kultivuar ndër shekuj, të theksuar në urimet e drejtuesve më të lartë institucionalë, politikë e fetarë.

Kjo vlerë u manifestua edhe në natën e lindjes së Jezu Krishtit, në meshat në të gjitha kishat katolike në Kosovë tradicionalisht të mbushura me besimtarë katolikë dhe qytetarë të besimeve të tjera, në atmosferën e urimeve e festave të fundvitit. Në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë meshën e natës së Krishtilindjes e drejtoi Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji. “Me Papa Franceskun ju ftoj o vëllezër dhe motra në këtë natë tejet të shenjtë të ndalemi në heshtje për të dëgjuar zërin e dashurisë që të kuptojmë se Kërshëndellat jemi ne kur rilindim çdo ditë dhe lejojmë që Zoti të hyjë në shpirtërat tanë, në mënyrë që me jetët tona të përditshme të ndriçojmë hapat e ecjes së popullit tonë drejt të ardhmes” dhe “që të bëhemi për njëri-tjetrin engjëlli i Krishtlindjes, që i këndon Kosovës porosinë e paqes, drejtësisë dhe dashurisë”, ishte mesazhi i Imzot Gjergji. “Uroj që të gjithë njerëzit në Kosovë dhe kudo në botë të jenë më të mirë, më të drejtë dhe më të shenjtë. Të ketë më shumë paqe, më shumë dashuri dhe më shumë bujari”, theksoi Ipeshkvi kosovar. Imzot Gjergji uroi Krishtlindjen në disa gjuhë, ndërsa në meshë pjesëmarrësit ishin nga komunitetet kosovare dhe nga prania ndërkombëtare në Kosovë. Para meshës, në Katedrale u mbajt Koncerti Klasik i Krishtlindjeve me qëllime humanitare. Më herët në mbrëmje u zhvillua pritja solemne me rastin e Festës së Kërshëndellave në Rezidencën e Ipeshkvisë, pranë Katedrales. Në pritje morën pjesë e urun edhe zyrtarët më të lartë të institucioneve të Republikës së Kosovës, ambasadorë të akredituar në Prishtinë dhe zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë si dhe qytetarë të shumtë. Tradicionlisht, në Kosovë, festimet për Krishtlindjen nisin në mëngjes dhe vazhdojnë në mbrëmje nëpër familje me ritet e Buzmit bujar, një feste të lashtë iliro-shqiptare që ruhet ende në shumë vise të vendit. Mesha e Krishtlindjes mbahet sot në Kishën e Shën Ndout në Ulpianë – Prishtinë dhe në kisha të tjera katolike në Kosovë.

Advertisement