Tiranë – Ministria e Shëndetësisë merr masa urgjente kundër gripit të derrave

Vendimi është marrë pas një mbledhje urgjente në Ministrinë e Shëndetësisë ku përfaqësuesja e OBSH-së në vëndin tonë deklaroi se ka një rritje të shkallës së vlerësimit për pandeminë e gripit të derrave dhe përhapje masive në Meksikë, SHBA, Kanada, Spanjë, Zelandën e Re dhe Mbretërinë e Bashkuar. PBSH ka rritur shkallën e vigjilencës nga faza e tretë në fazën e katërt e cila karakterizohet me transmetimin e virusit nga njeriu te njeriu me “shpërthime epidemike në komunitete”. Për këtë arsye, Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se në mbështetje të ligjit “Për sëmundjet infektive”, dokumentit “Rregullorja Ndërkombëtare Shëndetësore” dhe dokumentit “Plani i Kontigjencës për pandeminë e gripit’, me urdhër të ministrit të shëndetësisë, znj. Anila Godo, u ngrit sot, Komiteti i Ekspertëve të Pandemisë së gripit pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Komiteti i Ekspertëve ka për detyrë të mbështesë Ministren e Shëndetësisë në përditësimin dhe zbatimin e Planit të Kontigjencës mbi pandeminë. Ministria e Shëndetësisë, mbështetur në rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, u ka kërkuar të gjithë drejtuesve të shëndetit publik në vënd të rrisin masat mbrojtëse ndaj gripit të derrave. Në një takim tjetër, të zhvilluar sot në mjediset e Drejtorisë së Shëndetit Publik në Tiranë, drejtuesit e këtyre institucioneve shëndetësore rajonale u njohën me situatën epidemiologjike, simptomat e gripit të derrit, si dhe masat që duhet të marrin. “Qëllimi është që ne të jemi të përgatitur të ngremë një shkallë më të lartë nivelin e alarmit”, pohoi specialisti i Institutit të Shëndetit Publik, Dritan Ulqinaku. Sipas tij, “sot jemi në një fazë të re të pandemisë së gripit të derrave, fazën e katërt, që është lançuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”. “Kjo nënkupton kalimin në një fazë tjetër, fazë veprimi, ku duhet të jemi më konkretë dhe duhet të shikojmë nga afër të gjitha nevojat tona, burimet, sigurimin e materialeve dhe burimeve njerëzore për të qenë më efikasë, sepse tashmë mund të themi se mund të jemi në një farë mase të rrezikuar dhe duhet të jemi të kujdesshëm”, theksoi z. Ulqinaku. Ministria e Shëndetësisë po ndjek me vëmëndje situatën epidemiologjike për gripin e derrit. Ajo është në kontakte të vazhdueshme me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, me rrjetin e Rregullores Ndërkombëtare Sanitare, me institucionet e shëndetit publik europian, dhe rrjetin e monitorimit ndërkombëtar të gripit, ndërsa adaptimi i të dhënave është i përditshëm. Sipas ISHP-së, “pandemia shkaktohet nga një virus i ri i gripit, që përhapet në të gjithë botën dhe infekton një numër të konsiderueshëm të popullatës që nuk ka mbrojtje ndaj tij, ndaj duhet të rriten përpjekjet dhe duhet hartuar një plan masash”. Gripi i derrit është një infeksion akut viral i rrugëve të frymëmarrjes së derrave, që shkaktohet nga tipi A i virusit të gripit. Vdekshmëria tek derrat është e ulët dhe shërimi ndodh brenda 7-10 ditëve, sqarojnë specialistët e ISHP-së. Viruse të gripit, që e kanë origjinën nga derrat, vihen re edhe tek shpendët e egër, shpendët shtëpiakë, kuajt dhe njerëzit, por transmetimi midis specieve konsiderohet ngjarje e rrallë. Deri tani ka pasur tre lloje të gripit A tek derrat: H1N1, H1N2, H3N2. Simptomat e gripit të derrit tek njerëzit janë të ngjashme me ato të gripit sezonal të zakonshëm të njerëzve, si fillimi i menjëhershëm i temperaturës, dobësia, dhimbja e fytit, kolla, por vihet re dhe diarre. Ndaj në rast të konstatimit të këtyre shenjave, të gjithë personat që kanë udhëtuar në zonat e prekura, duhet të drejtohen menjëherë tek mjeku, pohojnë të njëjtat burime. Në shumicën e rasteve, virusi transmetohet nëpërmjet kontaktit të ngushtë me derrat, ndërsa rastet e transmetimit nga njeriu tek njeriu, më parë kanë qenë të rralla. Ky virus nuk transmetohet nga ngrënia e mishit të derrit, apo produkteve të tij. Në rastet e transmetimit nga njeriu tek njeriu më parë, transmetimi ndodh nëpërmjet kontaktit të ngushtë dhe rrugëve ajrore. Përsa i përket vaksinimit, ISHP sqaron se për këtë lloj virusi ka vaksinë për derrat, por jo për njerëzit. Ndërkohë, ka ngjashmëri midis viruseve H1N1 tek derrat dhe njerëzit (që përfshihet në vaksinën e gripit), por nuk dihet nëse ka mbrojtje, ose jo. Situata konsiderohet më problematike në Meksikë ku jane shënuar mbi 150 të vdekur dhe SHBA, pasi kemi shfaqjen e një virusi të ri, i cili përmban gene të virusit të derrave (të gjetur në Amerikën e Veriut dhe në Euroazi), shpendëve dhe njerëzve në një kombinim që nuk është parë asnjëherë deri tani në botë.

Advertisement