Çelet ekspozita “Tre plane për Tiranën”

“Tre plane për Tiranën” është ekspozita më e re që zuri vend në hollin qendror të kryeministrisë.

Ekspozita, e cila u realizua nën kujdesin e Kryeministrit Rama në bashkëpunim me ambasadën italiane, në Tiranë, çelet në javën e kulturës italiane dhe i dedikohet trashëgimisë urbanistike dhe arkitektonike italiane në Shqipëri, në harkun kohor 1925-1943. Duke falenderuar arkitektët që punuan për këtë nismë, kreu i ekzekutivit tha se “vetëm pamja e këtyre objekteve të shfaqura këtu dhe e imazheve nuk mjafton për të patur një ide të plotë të gjithë asaj që ka ndodhur mes Italisë dhe Shqipërisë në këtë fushë, në dy dekada të lavdishme për urbanistikën dhe arkitekturën në Shqipëri, të cilat praktikisht përcaktuan kufirin ndarës mes një territori deri aty, të përkufizuar kryesisht sendet e lëna pas në periudhën e pushtimit otoman dhe një territori që filloi të ripërkufizohej me synimin që të kthehej në një territor të kulturës arkitektonike dhe urbanistike evropiane.” Ndërsa ambasadori Italian në vendin tonë Massimo Gaiani, duke falënderuar kryeministrin për angazhimin e tij personal në organizimin e këtij eventi, u shpreh se qëllimi i kësaj ekspozite ishte njohja e publikut shqiptar e veçanërisht atij kryeqytetas me punën kolosale që kanë bërë arkitektët italianë për ti dhënë Tiranës fytyrën e një qyteti evropian. Ndërtesat e arkitektëve të tillë si Brasini, Morpurgo, Di fausto dhe Bosio, paraqiten në ekspozitë përmes maketeve të ndryshme dhe fotove të planeve rregulluese të Tiranës së atyre viteve. Kjo ekspozitë, e cila është e shtrirë jo vetëm në kohë, por dhe në gjeografinë e kryeqytetit do jetë e hapur disa ditë për publikun.

Advertisement