“Ne kemi arritur marrëveshje me qeverinë për rishikimin e dytë dhe të tretë të programit të fondit, që do t’i paraqitet bordit të FMN-së dhe pas miratimit do të lëvrohet kësti i radhës, deri nga fundi i janarit. Shuma e lëvruar do të jetë 53 milionë euro”, ky është paragrafi i fundit i deklaratës zyrtare të përfundimit të bisedimeve dhjetëditore mes FMN-së dhe qeverisë shqiptare. Aprovimi i deklaratës së përbashkët i hap rrugën disbursimit të pjesës së kredisë.

Vlerësimet

Advertisement

“Programi ekonomik i Shqipërisë po ecën sipas planit dhe misioni i FMN-së ka arritur një marrëveshje në nivel stafi me qeverinë shqiptare. Pritshmëritë tona janë se rritja ekonomike e vitit 2014 do të jetë rreth 2%, e udhëhequr nga eksportet, prodhimi i naftës, shlyerja e detyrimeve të prapambetura si dhe rimëkëmbja e kërkesës së brendshme”, tha mbrëmë përfaqësuesi i FMN-së për Shqipërinë, Nadeem Ilahi. Ai është shprehur optimist lidhur me ecurinë e reformave të ndërmarra nga qeveria në fushën e energjisë dhe konsolidimit fiskal në konferencën e përbashkët për shtyp me palën shqiptare. Gjithsesi Ilahi ka shtuar se “aktiviteti ekonomik vazhdon të jetë nën potencial”. Në krah të përfaqësuesit të FMN-së, Nadeem Ilahi, ishin ministri i Financave, Shkëlqim Cani, Ministri për Zhvillimin Ekonomik, Arben Ahmetaj dhe guvernatorja në detyrë e Bankës së Shqipërisë, C. Shefi i Misionit të FMN-së për Shqipërinë, Nadeem Ilahi, paraqiti për herë të parë qëndrimin mbi paketën fiskale, projektbuxhetin 2015, si dhe realizimin e kritereve të performancës, që janë baza për vendimin e bordit ekzekutiv të FMN-së në Uashington. Duke folur për parametrat fiskalë, Ilahi u shpreh se ato janë realizuar sipas objektivit. “Në kahun fiskal, performanca mbetet në linjë me atë që është rënë dakord me autoritetet dhe është në përgjithësi e kënaqshme. Edhe në 2015, autoritetet janë të angazhuara për uljen e borxhit publik. Për herë të parë vitin e ardhshëm pritet që të shkohet drejt uljes së borxhit publik”, deklaroi Ilahi. Ai u shpreh se, edhe politika monetare e Bankës së Shqipërisë duhet të vazhdojë të mbështesë politikat ekonomike. “Ka shenja të rritjes së kreditimit, por ajo mbetet e ulët. Ka një mungesë të dëshirës së sistemit bankar për të marrë përsipër risk, ndaj është e nevojshme reforma në drejtim të zbatimit të kontratave”, rekomandoi Ilahi. FMN gjykon se, hapat e para mbi reformat në sektorin e energjisë janë të rëndësishme. “Plani për energjinë u hartua nga qeveria në bashkëpunim me Bankën Botërore. Të gjitha masat janë në përputhje dhe me aspektin fiskal”, – deklaroi Nadeem Ilahi. “Janë bërë hapat e parë të rëndësishëm në zbatimin e reformave në këtë sektor. Stafi i FMN-së mirëpret planin e qeverisë për t’u dhënë kompensim shtresave të varfra”, tha Ilahi duke shtuar se misioni i stafit të FMN-së mbështet punën e qeverisë në drejtim të politikave të ndërmarra në sektorin e energjisë. Ilahi tha se FMN i qëndron parashikimit për rritje ekonomike prej 3% vitin e ardhshëm, pavarësisht mjedisit të dobët të jashtëm.

Ahmetaj: Nuk i ulim rrogat si në Serbi

Për ministrin e Ekonomisë, Arben Ahmetaj, tani rritja ekonomike është e konsoliduar. Ministri tha se qeveria shqiptare është e përkushtuar për vijimin e reformave dhe përmirësimin e situatës. Ai theksoi se nuk do të ketë ulje të pagave dhe të pensioneve.

“Ekonomia shqiptare ka kaluar një vit korrektimi dhe sot me kënaqësi vërejmë që rritja ekonomike është një trend i konsoliduar. Rritja e 2014 do të jetë 2.1 – 2.2%, brenda parashikimit. Por për qeverinë shqiptare është sërish e pamjaftueshme, prandaj jemi të vendosur për vijimin e reformave dhe përmirësimin e situatës. Sa i takon buxhetit 2015 kemi dakordësi në parim me FMN-në edhe për reformat dhe për kuadrin afatmesëm, edhe sa i takon uljes së borxhit publik. Qeveria shqiptare arrin të mbajë të paprekura pagat dhe pensionet, ndryshe nga sa kanë bërë vendet e rajonit, me ulje drastike të pagave dhe pensioneve, siç ka ndodhur në Serbi”, deklaroi Ahmetaj.

Gjoni: Të vazhdojnë reformat

Guvernatorja në detyrë e Bankës së Shqipërisë, Elisabeta Gjoni, tha se ulja e borxhit publik ul rrezikun në ekonomi. “BSH vlerëson se rritja ekonomike do të vazhdojë të përballet me kufizime. Politikat ekonomike duhen drejtuar te ruajtja e stimujve, ndërsa në aspektin afatgjatë kërkohet përshpejtimi i reformave strukturore. Së dyti, politika e konsolidimit fiskal siguron përfitime afatgjata për vendin dhe kjo arrihet duke ulur borxhin dhe deficitin buxhetor. Nevojitet politikë stimuluese për zhvillimin ekonomik, si dhe duke ruajtur stabilitetin e çmimeve. BSH pret përmirësim të situatës në tregje”, deklaroi guvernatorja e BSH-së. Gjoni tha se politika monetare do të vazhdojë të jetë lehtësuese, duke paralajmëruar hapa të tjerë në këtë drejtim.

Burimi: Gazeta Shqip | Zamir Alushi