Kosovë – 35 shtete dorëzojnë deklaratat për pavarësinë në GJND

Nëpërmjet një njoftimi për shtyp Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë informoi se 35 vëndet që kanë dorëzuar deklaratat e tyre janë Republika Ceke, Franca, Qipro Kina, Zvicra, Rumania, Shqipëria, Egjipti, Gjermania, Sllovakia, Rusia, Finlanda, Poloni, Luksemburg, Libi, Mbretëri e Bashkuar, SHBA, Serbi, Spanjë, Iran, Estoni, Norvegji, Holandë, Slloveni, Letoni, Japoni, Brazil, Irlandë, Danimarkë, Argjentinë, Azerbajxhan, Ishujt Maldive, Sierra Leone dhe Bolivi. Për momentin njoftohet në deklaratën për shtyp se deklaratat e shteteve do të mbeten konfidenciale. Duke marrë parasysh vendet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës arrihet në konkluzionin se 21 shtete kanë dorëzuar deklaratat pro pavarësisë, dhe 13 kundra. Nga Pallati i Drejtësisë në Hagë është bërë e ditur se në fazën e ardhshme, e cila do të zgjasë deri me 17 korrik të këtij viti, të gjitha palët kanë të drejtë t’i paraqesin në gjykatë argumentet edhe komentet e tyre shtesë në formë të shkruar lidhur me pjesëmarrjen e shteteve të tjera në këtë proces. Gjykata më pas do të shqyrtojë të gjitha kërkesat e deponuara dhe do të caktojë debatin, në të cilin palët do të këmbejnë argumentet e tyre me gojë. Në fund Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do ta miratojë mendimin e saj këshilldhënës nëse shpallja e pavarsisë së Kosovës është bërë në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. Prishtina dhe Beogradi konfirmuan dorëzimin me shkrim të argumenteve të tyre tek GJND-ja në Hagë, në lidhje me pavarësinë e Kosovës më 17 prill. Kosova përfaqësohet nga avokati i njohur britanik Michael Vood dhe dosja përbëhet nga 100 faqe argumente të sferave të ndryshme, të cilat do të provojnë legjitimitetin, legalitetin e pavarësisë së Kosovë. I tërë procesi pritet të përfundojë rreth muajit maj deri në dhjetor të vitit 2010. Duke marrë parasysh se bëhet fjalë për një mendim këshillëdhënës, autoritetet në Prishtinë nuk besojnë se ky proces do të ketë efekte juridike për statusin e Kosovës. Por, efektet thuhet se mund të jenë politike, si në rast të mendimit pozitiv, ashtu edhe negativ, të cilat mund të ndikojnë në dinamikën e njohjes së Kosovës si shtet nga vendet tjera.

Advertisement