Tiranë | Basha: Opozita gati për bashkëpunim

Foto Arkiv

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua me Komisionerin për Zgjerimin të BE-së, Stefan Fule, të cilin e ka informuar për arsyet e bojkotimit të parlamentit.

Basha u shpreh për mediat, pas takimit, se nuk mund të flitet për një vend që avancon drejt standardeve europiane, kur qeveria përdor dhunën për t’i mbyllur gojën opozitës dhe shkel vendimet e Gjykatës Kushtetutese, siç shkel liritë e qytetarëve përditë. “Ne kemi folur qartë, duam të kthehemi në kuvend, por parlamenti nuk është ndërtesë, parlamenti nuk është grumbull qytetarësh. Parlamenti është Kushtetutë demokraci, është debat, është rregullore, të gjitha këto janë nëpërkëmbur. Ne kërkojmë rivendosjen e parlamentarizmit, sepse vetëm kështu mund të ketë një pajtueshmëri mes opozitës dhe parlamentit” Ndërsa për reformën në drejtësi, Basha u shpreh se “opozita ka një ekspertizë të çmuar e të konsultuar dhe me partnerët ndërkombëtarë për çështjet e reformës në drejtësi”. Por që të ketë reformë në drejtësi, tha ai, duhet të ketë gjithëpërfshirje, standarde evropiane, duhet të ketë pjesëmarrje nga të gjithë aktorët dhe nga vetë drejtësia, duhet të jetë transparencë dhe jo ajo që shohim që nga njëra anë thuhet reformë në drejtësi dhe nga ana tjetër kërkohet të kapet drejtësia”. “Ne ia kemi bërë këtë të qartë Komisionerit Stefan Fule, siç ua kemi bërë të qartë në vijimësi Komisionit Evropian dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë me vendosmëri, me vizion evropian, me dashuri dhe përgjegjshmëri për vendin, ndonëse situata është e zymtë për shkak të veprimeve antikushtetuese që kanë minuar demokracinë, bashkëjetesën demokratike, Kushtetutën. Unë si kreu i opozitës dhe si zëdhënës i të gjithë shqiptarëve do vazhdojë ta kryej këtë mision, se e ardhmja evropiane u përket shqiptarëve”, ka përfunduar Basha.

Advertisement