Tiranë | Rama: Guvernatori i BSH nga fusha e financave

“Guvernatori i ri i BSH nuk do të jetë me profil politik por do të vijë nga fusha e financave.”

Kështu është shprehur Kryeministri Edi Rama lidhur me emrin e Guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë. Kryeministri Rama tha se asnjë prej emrave të aluduar deri më tani nuk është pjesë e kandidaturave për guvernator të BSH. Rama theksoi gjithashtu se zgjedhja e guvernatorit të ri nuk do të jetë një proces përmes kartonave, ndërsa shtoi se ai do të jetë një zgjedhje e pakontestueshme profesionale dhe morale. Sa i përket ngërçit që ka përfshirë Bankën Qëndrore, kryeministri Rama theksoi se ai ka ardhur prej problemit të administrimit të brendshëm të saj, ndërsa shtoi se pavarësisht të gjithave, këto zhvillime nuk e cënojnë sistemin financiar në vend. “Gjithçka ka ndodhur këto javë ka sjellë në vëmendje të gjithë opinionit publik një problematikë të brendshme të BSH që duhet adresuar dhe zgjidhur sa më parë. Është e rëndësishme që në këtë zhurmë të vazhdueshme të theksohet se ngërçi ku ndodhet sot Banka ka të bëjë me një problem administrimit të brendshëm të bankës, dhe nuk ka asnjë lidhje me sistemin financiar. Stabiliteti financiar i vendit është tërësisht i pacenuar dhe i garantuar.” theksoi Rama. Pyetjes lidhur me një rikthim të mundshëm të opozitës në Kuvend, kryeministri Rama tha se ajo është e mirëpritur. Ai theksoi se është i gatshëm të takohet edhe me kreun e PD Lulzim Basha për të këmbyer pikëpamje për situatën e krijuar në Bankën e Shqipërisë. Por kreu i qeverisë thekson se deri më tani nuk ka ndonjë ftesë nga ana e opozitës, ndërsa rikujtoi se ftesat e bëra deri më tani i janë refuzuar nga kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Advertisement