Sot nis sesioni i tretë i Legjislaturës së VIII-të të Kuvendit të Shqipërisë.
Axhenda e seancës së sotme, që zhvillohet pasdite (ora 17:00), parashikon hapjen zyrtare të sesionit të ri, miratimin e programit të punës së Kuvendit për periudhën 1 shtator- 9 tetor dhe të kalendarit trejavor për periudhën 1-18 shtator. Rendi i ditës përfshin gjithashtu dhe pesë dekretet e Presidentit që ktheu për rishqyrtim në Kuvend disa ligje të miratuara në seancën e 31 korrikut. Po ashtu, deputetët do të votojnë dhe dekretin e emërimit të Ermonela Felaj, në detyrën e ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, si dhe dekretin e shkarkimit të Ilirjan Celibashit, nga ky post. Ndërkohë, pritet vendimi i opozitës ndaj parlamentit, të cilin e ka bojkotuar që nga mesi i muajit korrik pas konfliktit fizik mes deputetit demokrat Gent Strazimiri dhe deputetëve socialistë, Pjerin Ndreu dhe Arben Ndoka.