Prokuroria e Përgjithshme kërkon të vlerësohen procedurat e vendimmarrjes ne disa gjykata pasi sipas saj janë tërësisht të pabazuara në ligj dhe në prova.
Gjatë një deklarate për shtyp, Drejtoresha e Kabinetit e Prokurorisë së Përgjithshme, Fjorida Ballauri ka rrjeshtuar të gjitha rastet në të cilat organi akuzës ka gjetur shkelje ligjore në vendimarrjen e trupës gjyqësore. Më konkretisht, Prokuroria ka kërkura verifikimin e vendimit të trupit gjykues të Gjykatës së Apelit Vlorë, dt. 20.02.2014, e përbërë nga kryesues Alma Liçaj dhe anëtarë Skënder Damini dhe Gjinovefa Gaba, në caktimin e masës së sigurimit “arrest në shtëpi” për shtetasin Vangjel Zijaj (Arben Gropa) për efekt të shqyrtimit të kërkesës për ekstradim. Në datë 24.07.2014, Ministria Drejtësisë ka lejuar ekstradimin e këtij shtetasit për në Itali, bazuar në vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Apelit, dt. 03.07.2014. Ky shtetas, i cili gjendej në “arrest shtëpie” rezulton që është larguar nga vendi i qëndrimit dhe nuk është bërë e mundur ende të gjendet. Së dyti, Prokuroria kërkon verfikimin e vendimit dt. 15.07.2014 të gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, Igerta Hysi, e cila ka vendosur shuarjen e masës së sigurisë “arrest me burg” për efekt ekstradimi, për shtetasin Arben Isufaj, duke vendosur ndaj tij masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Ky shtetas, sipas saj është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane të drejtësisë, për shkak se Gjykata e Torinos Itali, me vendimin nr. 14754/04, datë 22.06.2010, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, si edhe është lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar për veprat penale të “Pjesëmarrjes në organizatën kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”. Së treti, organi akuzës kërkon verifikimin e vendimit dt. 16.07.2014 të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Laurent Fuçia, i cili ka vendosur shuarjen e masës së sigurisë “arrest me burg”, për qëllime ekstradimi, duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm për shtetasin Erjon Sadikaj. Ky shtetas ndërkohë që mbahej në burgim për t’u ekstraduar në Itali për veprat penale “Pjesëmarrje në organizate kriminale” dhe “Trafikim të lëndëve narkotike”, është hetuar dhe gjykuar në Shqipëri për dy vepra të tjera “Mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”. Pra, është e qartë rrezikshmëria e lartë e këtij personi, si në territorin e Republikës së Shqipërisë, ashtu edhe jashtë saj. Krahas kërkesave drejtuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, organi i prokurorisë po vijon të ndjekë procedurat ligjore të ankimit në gjykatën më të lartë për këto raste.