Tiranë | Freedom House: Shqipëria përparon

Organizata “Freedom House” publikoi sot raportin e saj vjetor “Vendet në Tranzicion”, mbi proceset demokratike të 29 vendeve në zhvillim, në rajonin e Evropës Qendrore dhe Euroazisë.

Sipas raportit, Shqipëria dhe Kosova kanë shënuar përparim të lehtë, krahasuar me vitin e kaluar. Për Shqipërinë kanë ndryshuar pozitivisht vlerësimet për kategoritë e “Procesit elektoral” dhe “Qeverisjes demokratike në nivel qendror”. Të dy këta sektorë janë përmirësuar me 0.25 pikë, në një shkallë nga 1 në 7. Pesë fushat e tjera që Freedom House vlerëson në raport dhe që në rastin e Shqipërisë nuk kanë ndryshuar krahasuar me vitin e kaluar janë: “Shoqëria civile”, “Media e pavarur”, “Qeverisja demokratike në nivel lokal”, “Kuadri ligjor dhe pavarësia e gjyqësorit” dhe “Korrupsioni”. Raporti shprehet se “Shqipëria arriti ndryshim pozitiv për herë të parë që nga viti 2008, falë zgjedhjeve parlamentare” të muajit qershor vitin e kaluar dhe “transferimit paqësor të pushtetit”. Vlerësimi për demokracinë në Shqipëri, që përbën mesataren e shtatë sektorëve të vëzhguar, është përmirësuar nga 4.25 në 4.18, në një shkallë nga 1 në 7, ku 1 përfaqëson nivelin më të lartë të përparimit demokratik dhe 7 nivelin më të ulët. Në një intervistë në Nju Jork për Zërin e Amerikës, drejtoresha e këtij raporti, Sylvana Kołaczkovska, tha se “ka shenja të hershme se qeveria e re është e interesuar të ndërmarrë reforma, për të ndalur procesin e konsolidimit të pushtetit të vënë re gjatë mandatit të dytë të qeverisë së mëparshme të kryeministrit Berisha”. “Në këtë pikë është ende herët,” shtoi ajo. “Kemi parë jo vetëm retorikë, por edhe hapa konkrete, megjithatë mendoj se është ende herët për të festuar. Ajo që mund të them është se duket të ketë një vullnet politik më të madh në këtë qeveri sesa në atë të mëparshmen për të zgjidhur disa nga dobësitë kronike në vend, në veçanti në sistemin gjyqësor shqiptar.”

Advertisement