Tiranë | Ligji për ILDKP-në, rrëzohet dekreti i Presidentit në komision

Me 16 votat e deputetëve të mazhorancës komisioni i Ligjeve rrëzoi dekretin e Presidentit që kthen për rishqyrtim në Kuvend disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive të nëpunësve publikë”. Opozita, e pranishme në diskutimin e dekretit, nuk mori pjesë në votim pasi u largua nga mbledhja. Duke analizuar arsyet e kthimit të ligjit, të parashtruara në dekretin presidencial, deputetja e PS-së, Vasilika Hysi, i konsideroi ‘ato të pajustifikueshme’. Sipas saj, Presidenti nuk ka kompetenca jashtë funksionit kushtetues. “Neni 94 e ndalon Presidentin të ketë kompetenca të tjera. Ky nen është kusht ndalues dhe përjashtues”, tha ajo. Hysi po ashtu tha se Kuvendi mund të ndryshojë zgjedhjen e kreut të ILDKP-së, pasi gëzon autonomi për vendimet kushtetuese.”Në zgjedhjen e tij kriter është profesionalizmi. Zgjedhja e Inspektorit të Përgjithshëm të ILDKP-së nuk është politike, ndaj duhet të votojmë kundër dekretit të Presidentit”, nënvizoi Hysi. Deputeti i LSI-së Spartak Braho, duke mbështetur rrëzimin e këtij dekreti, tha se në rastin e kreut të ILDKP-së, flitet për një person të dekretuar më parë nga Presidenti, ndërsa tani ai e konsideron politik. “Këtu kemi dekretin më të çuditshëm që Presidenti ka sjellë në këto vite, pasi bëhet fjalë për kryeinspektorin e ILDKP-së, të cilin presidenti e ka dekretuar vetë para dy vjetësh dhe është po ky president tani që e konsideron këtë si emërim politik”, theksoi Braho. Në emër të opozitës, deputeti Oerd Bylykbashi e konsideroi të nxituar diskutimin e dekretit nga komisioni i Ligjeve, ndërsa e cilësoi qëndrimin e maxhorancës një përpjekje ‘për të pushtuar shtetin’. “Kuvendi duhet t’i shqurtojë me seriozitet dekretet e Presidentit për kthim të ligjit, si një kompetencë kushtetuese e tij. Por, me këtë nxitim shumica e ka ndarë mendjen se do ta pushtojë shtetin. Ky është një nga hapat e planifikuar me kohë dhe i denoncuar më herët nga ne”, tha Bylykbashi.

Advertisement