Avokati i Popullit, Igli Totozani dhe Ambasadorja e Francës, Christine Moro, nënshkruan sot 2 marrëvëshje bashkëpunimi.
Një marrëveshje u nënshkrua mes AP dhe Aleancës Franceze, ku punonjësve të institucionit të Avokatit të Popullit do t’u jepet mundësia të mësojnë gjuhën frënge. Do të jenë 20 ekspertë të AP që do të ndjekin një kurs njëvjeçar të gjuhës frënge. Ndërsa marrëveshja tjetër është ndërmjet AP dhe Fakultetit të Gjuhëve të Huaja – dega frengjisht, nëpërmjes së cilës studentë të këtij departamenti do të kenë mundësinë të bëjnë stazh pranë institucionit të Avokatit të Popullit. Gjatë fjalës së saj, ambasadorja Moro u shpreh se “Institucioni i Avokatit të Popullit për ne është një institucion i rëndësishëm dhe i veçantë për demokracinë shqiptare. Në sistemin demokratik ky institucion shërben si ekuilibër mes qytetarëve dhe institucioneve shtetërore për të mbrojtur qytetarët përballë pushtetit. Unë, Ambasada Franceze dhe Qeveria ime mbështesim institucionin e Avokatit të Popullit dhe zotin Totozani në punën e tij”. Ndërsa Avokati i Popullit, Igli Totozani, shprehu falenderimet e tij për nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve me Aleancën Franceze dhe Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Departamenti i Frëngjishtes, të cilat nuk do të ishin të mundura pa ndihmën e vazhdueshme të Ambasadës Franceze dhe ambasadores Moro. Totozani i cilësoi si arritje nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve, të cilat synojnë rritjen e kapaciteteve të stafit dhe gjithashtu japin një ndihmë të veçantë për studentët stazhierë, të cilët do të njohin nga afër institucionin e Avokatit të Popullit, dhe fushën e mbrojtjes të të drejtave dhe lirive të njeriut. Ndërsa Klodeta Dibra, Dekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, falenderoi institucionin e Avokatit të Popullit për këtë mundësi bashkëpunimi, e cila është një mundësi shumë e mirë për studentët tanë për të njohur një institucion siç është Avokati i Popullit. Drejtori i Aleancës Franceze, Dritan Xhelili, shprehu kënaqësinë e tij për këtë marrëveshje, e cila do t’u mundësojë punonjësve të institucionit të Avokatit të Popullit përvetësimin e një gjuhe mjaft të rëndësishme, siç është gjuha frënge.