Rrëzimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese i Aktit Normativ të Qeverisë për Ligjin për “Nëpunësin civil”, jep efektet e para. Departamenti i Administratës Publike (DAP), njofton se “pas publikimit në fletoren zyrtare të datës 26 Shkurt 2014, të këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, ligji i ri 152/2013 “Për Nëpunësin Civil” parashikon rregulla të reja për pranimin në shërbimin civil”. Për pasojë ky institucion bën të ditur se përkohësisht nuk do të zhvillojë procedura konkurimi për pozicionet e shërbimit civil, por pa parashikuar një afat. Për të gjithë të interesuarit që dëshirojne të punësohen në administratën publike, DAP bën me dije se do të njoftohen në vijim mbi rregullat dhe procedurat e reja që do të duhet të ndiqen për këtë qëllim. Nëpërmjet një publikimi zyrtarë të afro dy muajve më parë DAP shpalli afro 400 vende vakante në administratën publike, për të cilat konkurimi tashmë është pezull.