Tiranë | Basha: SHBA, thirrje qeverisë të bashkëpunojë me opozitën

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i bëri sot apel mazhorancës të pranojë kërkesën e opozitës për ngritjen e komisionit parlamentar për emërimet dhe shkarkimet në Policinë e Shtetit. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Basha kërkoi nga qeveria të reflektojë në lidhje me apelin e ndërkombëtarëve për të përmirësuar marrëdhëniet me opozitën. “SHBA i bëri thirrje qeverisë të bashkëpunojë me opozitën. Shkaku ka të bëjë me refuzimin e statusit në muajin dhjetor që ka të bëjë me konfliktin e hapur ligjor të dyshes Rama-Meta me opozitën. E këshilloj qeverinë të heqë dorë nga politika konfliktuale me opzitën, kjo përmes njohjes së të drejtave ligjore, kushtetuese në shërbim të demokracisë. Për t’u bërë të besueshëm në Bruksel, Kryeministri Rama dhe mazhoranca duhet të kapërcejnë vetveten, forcën bllokuese që përdornin kur ishin në opozitë. Nuk shkohet në Evropë me arrogancë, duke goditur ligjin, Kushtetutën, duke goditur urat e bashkëpunimit. Ky është kuptimi i mesazhit të SHBA-së dhe BE-së drejtuar qeverisë”, u shpreh Basha. “Dyshja Rama-Meta, me një akt të paprecedentë dhe me një karshillik ndaj Kushtetutës, paralajmëruan refuzimin e kërkesës së opozitës për ngritjen e komisionit parlamentar për emërimet dhe shkarkimet në kupolën e Policisë së Shtetit. Ky është dhunim i Kushtetutës dhe një ujdi mafioze për të fshehur emërimet kriminale. Është një përpekjet e mjerë dhe provokuese për të penguar opozitën në misionin e saj për të mbrojtur shtetin ligjor dhe demokracinë, për të kërkuar transparencën dhe llogaridhënien”, tha Basha.

Advertisement