Tiranë | Kroacia, mbështetje integrimit evropian

Kryeministri Edi Rama priti sot homologun e tij kroat, Zoran Milanoviç, i cili ndodhet në vendin tonë në kuadër të një vizite zyrtare dyditore. “Kroacia është një histori dhe model suksesi për të gjithë rajonin, e padyshim edhe për Shqipërinë”, deklaroi Kryeministri Edi Rama, në konferencën e përbashkët për shtyp. Rama i shprehu mirënjohje kryeministrit kroat, Milanoviç, për mbështetjen e qartë dhe të fortë ndaj Shqipërisë në rrugën e procesit integrues drejt Bashkimit Europian. Duke folur për vendimin refuzues për marrjen e statusit kandidat, të Shqipërisë në BE, të dy kryeministrat ndanë të njëjtin mendim se, pengesë në këtë drejtim kanë qenë edhe prapavija të qarqeve të caktuara. “Jam i bindur se prapavija funksionoi në dëm të marrjes së këtij vendimi për statusin, por nga ana tjetër jam i bindur se ky proces është i domosdoshëm për modernizimin, demokratizimin dhe europianizimin e Shqipërisë”, tha Rama, teksa përsëriti se integrimi, së pari duhet të jetë një proces i brendshëm. Referuar zhvillimeve të fundit ndërrajonale, Kreu i Ekzekutivit vlerësoi se “antarësimi i Kroacisë në BE dhe paralelisht marrëveshja e nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë, janë dy ngjarje të mëdha në funksion të një kohë të re për rajonin tonë”. Sa i përket zërave mediatik për mbylljen e mundshme të ambasadës sonë në Zagreb, Kryeministri Rama hodhi poshtë çdo mundësi, duke u përqendruar tek e kundërta, “forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve”. Ndërsa vlerësoi se Shqipëria ka shumë ç’të mësojë prej Kroacisë, Rama tha se “ne dëshirojmë shumë forcimin e bashkëpunimit me Kroacinë në të gjitha planet, dhe jam i kënaqur që nga ana e saj lexojmë një vullnet të qartë për të forcuar dhe cuar me tej këtë bashkëpunim”. Si nismë me potencial të lartë, jo vetëm për zhvillimin energjitik, por edhe për zhvillimin e mrrëdhënieve mes dy vendeve, Rama vlerësoi edhe projektin e gazësjellësit TAP. Ndërsa kryeministri Kroat, pasi ritheksoi mbështetjen e vendit të tij për hapjen e negociatave për antarësim të Shqipërisë në BE, referuar eksperiencës së Kroacisë në këtë proces, bëri të qartë se rruga drejt BE-së është e vështirë. Milanoviç shprehu keqardhje që “Serbia filloi negociatat me me Bashkimin Europian dhe Shqipëria jo”, por nga ana tjetër u shpreh se “Kroacia është dëshmitare se Shqipëria ballafaqohet me shumë probleme, të brendshme dhe të jashtme në rrugën drejt integrimit në BE”. Ai vlerësoi se Shqipëria mund të marrë statusin kandidat në qershor të këti viti, ndërsa apeloi që të punohet shumë në drejtim të përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga BE. Sipas tij, “nësë një shtet është anëtar i NATO-s, ai mund të bëhet edhe anëtar i BE-së, pasi i ka kapërcyer disa standarde nga ato që kërkon BE”. Duke marrë shembull jetën e komunitetit shqiptar në Kroaci, Milanoviç shprehu vlerësim të lartë për popullin shqiptar si një popull punëtor dhe i suksesshëm. Kryeministri kroat bëri të ditur gjithashtu se kishte biseduar me homologun e tij shqiptar edhe për nxitjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik. Sipas tij, hapësirat në këtë drejtim janë të mëdha dhe përfaqësimi i biznesit kroat në vendin tonë, edhe pse jo i vogël, nuk është në nivelin e duhur. “Interesi ynë është që, edhe mallrat shqiptare të hynë në tregun kroat”, tha Milanoviç.

Advertisement