Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, nisi të dielën aksionin e prishjes së ndërtimeve pa leje në bregdetin e Himarës, duke u përqëndruar fillimisht në Dhërmi. Mjetet e INUK shembën katër objekte 4 katëshe në plazhin e Drimadhes, të cilat ishin ndërtuar pa leje dhe cënonin parametrat mjedisorë të zonës. Sipas Drejtorit të INUK, Zyhdi Dajti, ky aksion ishte paralajmëruar dhe pronarët e objekteve ishin njoftuar paraprakisht për shembjen e tyre. Veprimet e punonjësve të INUK nuk janë kundërshtuar nga pronarët, të cilët kanë qenë të pranishëm dhe kanë ndjekur procesin e shembjes. Aksioni i prishjes së ndërtimeve pa leje në bregdetin e Jugut, është paralajmëruar prej javësh. Ai pason veprimet e kryera në bregdetin e Vlorës deri në Orikum, ku u shembën rreth 150 objekte që cënonin parametrat urbanistikë dhe ata mjedisorë të zonës. Aksioni do të vazhdojë në ditët në vijim, sipas një plani ndërhyrjeje që do të përfshijë të gjithë bregdetin deri në Sarandë e Ksamil.