Tiranë | Rama: pas 4 vitesh do të flasim ndryshe për korrupsionin

Kryeministri Edi Rama theksoi sot se ” Shqipërisë i duhet një aksion i fortë i përbashkët. Me ose pa të tjerët, ne do të bëjmë gjithçka na takon, që pas 4 vitesh të flasim ndryshe kur flasim për korrupsionin”. Në prezantimin e draftit të parë të “Strategjisë kombëtare kundër korrupsionit”, të organizuar nga Prezenca e OSBE-së, Ministri për Çështjet Vendore dhe UNDP, Kryeministri Rama tha se “ekonomia jonë është në limitet e rrezikut të humbjes së ekuilibrit dhe është bërë si një ritual që përsëritet që duhet të luftojmë korrupsionin, por ai është shumë i shpejtë se strategjitë dhe shumë më efikas se institucionet. Është pozitive që në krye të 100 ditëve të para të qeverisjes, kemi gati një strategji kombëtare kundër korrupsionit. Sigurisht që nuk është e para, çdo qeveri e ka pasur një strategji të tillë dhe unë uroj që kjo, të jetë e fundit, por këtë do ta tregojë koha dhe rezultatet”. “Ne jemi në fund të tabelës europiane në renditjen për korrupsion dhe sot kur jemi në vigjilje të një tjetër tentative për të marrë statusin e vendit kandidat, kjo trashëgimi e hidhur nuk ndihmon për të zmbrapsur skepticizmin e disa vendeve anëtare. Pa dyshim, sot është dita për të thënë se shumë është folur për korrupsionin, se qeveria paraardhëse mund të kritikohet për shumë gjëra, por nuk mund të kritikohet për sa ka folur për korrupsionin. Jam i bindur se nëse do të kishim statistika do të dilte qeveria që ka folur më shumë kundër korrupsionit, por ndërkohë që shifrat tregojnë është qeveria që e ka lejuar më shumë korrupsionin duke kthyer sistemin e korrupsionit, në sistemin e kapjes së shtetit në një kuptim të mirëfilltë të kësaj fjale”, nënvizoi Rama. Kreu i qeverisë u shpreh se “korrupsioni sot është bërë i pambulueshëm në sytë e shqiptarëve e partnerëve të Shqipërisë, dhe nëse ka diçka që e dallon korrupsionin në Shqipëri nga vendet e tjera të BE-së është se në Shqipëri është në çdo qelizë të organizmit të shtetit dhe në çdo prekje të shtetit nga dora e shtrirë e qytetarit për të marrë një shërbim”, tha Rama duke shtuar se ka jo pak raste në historinë e luftës kundër korrupsionit në botë, që tregojne se shembujt janë të pamjaftueshëm. Paralelisht me shembujt, vijoi Rama, duhet modernizimi i shtetit, i insitucioneve, i shërbimeve që e bëjnë shtetin gjithmonë e më pak subjektiv, e gjithmonë e më shumë objektiv në zbatimin e ligjit dhe në shërbimin e qyetarëve. “Sot ne vazhdojmë të kemi pasoja të rënda nga korrupsioni sepse në vite ne kemi nguruar duke gabuar me reformat strukturore. Strukturalisht, Shqipëria është reformuar pak dhe në një sërë aspektesh të rëndësishme që kanë të bëjnë me prodhimtarinë e korrupsionit është deformuar shumë”, tha Rama. “Reforma strukturore që ne do t’i bëjmë territorit, do të jetë për të krijuar më shumë kompaktësi, transparencë e më shumë dobishmëri në angazhimin edhe shfrytëzimin e parave të mbledhura nga taksapaguesit. Në vend, ka korrupsion që buron nga mungesa e një reforme strukturore në shumë sektorë , si në energji, ujë, në çështjen e tokës, drejtësi, burimeve minerare ,shëndetësi, arsim etj”, tha Rama. “Besoj se ne kemi një barrë të vështirë por kjo është barra jonë , që treguesit e suksesit në këtë luftë që është një luftë për jetë a vdekje, për Shqipërinë për zhvillim apo prapambetje kronike, t’a vendosim mbi bazën e e zbatueshmërisë së ligjit dhe jo të prodhimit të ligjeve”, tha Rama. Kryeministri Rama u shpreh se “nuk ia vlen të flitet gjatë për këtë plagë të tmnerrshme që më duket se ushqehet nga konferencat , seminaret, strategjitë etj që mbeten ne nivelin e fjalëve”.

Advertisement