Tiranë | Ndahet nga jeta deputeti Sokol Olldashi. Ngjarja dhe dëshmitë.

Deputeti i PD, ish-ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, humbi jetën mbrëmjen e djeshme në moshën 41 vjeçare, në një aksident tragjik teksa udhëtonte nga Elbasani për në Tiranë. Makina e ish-ministrit një “Benz Mercedez”, me targa AA 003HN, ka dalë nga rruga në vendin e quajtur “lapidari i Kërrabës” në kilometrin e 6 të rrugës Tiranë-Elbasan. Aksidenti u shënua rreth orës 21:20 minuta. Makina ka rënë nga një lartësi e madhe, prej të paktën 20 metra, duke përfunduar te varrezat e këtij fshati. Policia sqaron se drejtuesi i automjetit, që ishte vetë Olldashi, ka humbur kontrollin, pasi rreshjet e dendura të shiut e kanë penguar të shohë rrugën dhe si pasojë ka përfunduar në greminë. Vendi ku ka ndodhur aksidenti është një kthesë tepër e fort. Dyshohet se dhe shpejtësia ka qenë tej normave të lejuara dhe në momentin që automjeti ka marrë kthesën, për shkak të reshjeve të shiut automjeti ka rrëshqitur duke dalë nga rruga dhe rënë në greminë. Mësohet se automjeti ka pësuar disa rrotullime të njëpasnjëshme në greminë duke u shkatërruar tërësisht. Ngjarjen fillimisht e kanë parë banorët e zonës, të cilët kanë njoftuar policinë. Në vendngjarje kanë mbërritur edhe dy ambulanca, një nga Tirana e një Elbasani dhe forcat e policisë së komisariatit numër 1 dhe policia rrugore. Rreth një orë pas aksidentit, në 23:35 është bërë e mundur dhe nxjerrja e trupit të deputetit. Kjo ngjarje e rëndë, ka ngritur në këmbë strukturat shtetërore, që kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje. Deputeti demokrat Igli Cara ka njoftuar i pari sallën operative në orën 21:18 se një aksident është shënuar në Krrabë. Igli Cara sqaron rrethanat e aksidentit të Olldashit : “Isha në një lokal me shoferin e Olldashit. Isha në lokal dhe me një person të tretë mik i të dyve . Olldashi na tha se po kthehej nga Elbasani. Pas 5 minutash na thotë shoferi që shefi, Olldashi, është aksidentuar. Hipëm në makinë dhe u nisëm, si dhe lajmëruam policinë me telefon. Mbërritëm 30 sekonda para policisë. Dyert ishin të kycura, nuk hapeshin. Ishte e pamundur që ti jepnim ndihmë. Nuk kishte njeri tjetër në makinë, ishte vetëm. Nuk mund të aludohet ndryshe”, tha Cara. Eduart Ndreu, drejtor i Portit të Durrësit, i cili para aksidentit kishte qenë bashkë me Igli Carën dhe shoferin e Olldashit, flet mbi aksidentin. “Pas aksidentit Olldashi ka qenë i vetëdishëm dhe ka telefonuar menjëherë shoferin e tij. “Olldashi kërkoi ndihmë” deklaroi Ndreu. Të parët kanë mbërritur deputetët e Partisë Demokratike, Flamur Noka dhe Astrit Patozi, më pas ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, më pas edhe kreu i PD, Lulzim Basha, ish-kreu i PD, Sali Berisha dhe djali i tij. Më pas atje ka shkuar i gjithë grupi parlamentar i PD , gjithashtu edhe deputetë të PS, si Taulant Balla, Ilir Beqaj, Alfred Peza, por dhe drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit. Nuk ka munguar as kryetari i Kuvendit dhe kryetari i LSI, Ilir Meta apo edhe nënkryetari i LSI, Petrit Vasili. Në vendngjarje edhe bashkëshortja e Sokol Olldashit, e cila ka pësuar një tronditje tepër të madhe kur ka mësuar lajmin. Ajo shoqërohej nga deputetja e PD, Mesila Doda, e cila më parë përpiqej t’i fshihte të vërtetën, duke i thënë se “Sokolin po e çojnë në spital”. Trupi i Olldashit më pas është çuar në morg, ku kanë qenë dhe figura të shumta politike, miq të tij, të njohur të tij, mes tyre dhe Lulzim Basha, Edi Paloka, Gerti Bogdani, Ilir Beqja etj. Nëna e deputetit Olldashi ka qenë e para që ka mbërritur në morgun e QSUT. Pas përfundimit të ekspertizës mjeko-ligjore në morgun e QSUT trupi i pajetë i të ndjerit Olldashi transportohet tek familjarët. Nga morgu, miqtë dhe kolegët më të ngushtë të Olldashit janë zhvendosur te banesa e tij. Ndër të parët ka mbërritur kreu i PD, Lulzim Basha bashkë me kreun e grupit parlamentar të PD, Edi Paloka. Më pas deputetët e PD, Genc Ruli, Jozefina Topalli, Ridvan Bode apo dhe pronari i TV Klan, Aleksandër Frangaj etj. Fillimisht u përfol edhe për një person të dytë që ka qenë me deputetin Olldashi, por më pas Policia ka konfirmuar se z. Olldashi ka qenë i vetëm në makinë. Ceremonia mortore në nder të deputetit Sokol Olldashi do të zhvillohet në orën 14:00. Ngushëllimet në nder të Olldashit do të hapen në orën 11:00 të mëngjesit në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë. Deputeti Olldashi, baba i 2 fëmijëve, humbi jetën tragjikisht duke u aksidentuar në një prej rrugëve që e ka inauguruar në kohën kur ka qenë Ministër i Transporteve.

Advertisement