Nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, Konferenca e Kryetarëve u mblodh sot në prani të zëvendëskryetarëve, krerëve të grupeve parlamentare, krerëve të komisioneve të përhershme, si dhe të Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe miratoi Kalendarin Tre javor të Punimeve të Kuvendit. Në fillim të mbledhjes, opozita përsëriti kërkesën e saj për tërheqjen nga ana e qeverisë të Aktit Normativ “Për Nëpunësin Civil”. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka u shpreh se, kërkesa e opozitës për tërheqjen e këtij akti ka të bëjë me drejtpërdrejt me Parlamentin dhe me çështjen e konsensusit midis mazhorancës dhe opozitës. “Nuk jemi kundër dialogut, nuk jemi kundër bashkëpunimit, përkundrazi, por nuk mund të na kërkohet dialog kur jemi vënë përballë faktit të kryer”, u shpreh Paloka. Në përgjigje të deklaratave të kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi vuri në dukje se, nga ana e qeverisë kjo çështje është parë thjesht dhe vetëm si çështje juridike. “Ne si qeveri e kuptojmë dhe e respektojmë këtë sensibilitet të opozitës për këtë çështje dhe realisht jemi munduar që ta kemi në vëmendjen tonë qoftë në pikëpamje politike, por edhe juridike. Gjej rastin të them që kjo çështje nga ana e qeverisë është parë thjesht dhe vetëm si çështje juridike, edhe pse aspekti politik që qëndron pas saj nuk mund të injorohet”, deklaroi ministri. Sipas tij, situata në pikëpamje të normës juridike është e tillë që do të krijonte probleme edhe nëse për një moment do të mendonim që ta tërhiqnim këtë akt. Gjithsesi, sipas Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, fakti që akti ka filluar të prodhojë efektet e veta juridike, nuk ezauron mundësitë për të gjetur rrugëzgjidhje. “Ky akt tashmë ka filluar të prodhojë efektet e veta juridike si akt normativ dhe nuk mendoj që kjo ezauron mundësitë për të diskutuar dhe për të gjetur rrugën e zgjidhjeve brenda edhe vetë fuqisë së aktit normativ”, nënvizoi Celibashi. Qëndrimi i zotit Paloka në lidhje me aktin normativ të qeverisë, u mbështet edhe nga kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i cili e konsideroi veprimin e qeverisë të njëanshëm dhe anti-kushtetues. Nga ana e tij, kreu i Grupit Parlamentar i PDIU-së, Shpëtim Idrizi duke mbështetur qëndrimin e z.Paloka dhe z. Mediu për këtë çështje nënvizoi se, kjo forcë politike është e prirur të jetë pjesë e dialogut. Në përgjigje të kërkesës së përfaqësuesve të opozitës për të ndërhyrë që qeveria të tërheqë aktin normativ, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta vuri në dukje se në bazë të Kushtetutës aktet normative hyjnë automatikisht në axhendën e punimeve të Kuvendit. “Unë dua të sqaroj që Kushtetuta e përcakton që aktet normative hyjnë automatikisht në rendin e ditës së Parlamentit dhe është e pamundur edhe për mua edhe për të gjithë ne së bashku si Parlament që ta nxjerrim këtë çështje nga rendi i ditës. Unë kur jam njohur me një ide të tillë nga ana e përfaqësuesve të qeverisë kam kërkuar që përderisa kjo çështje është zgjidhur me konsensus të zhvillohen takime, diskutime përpara se ky akt të kalojë në Këshillin e Ministrave me përfaqësuesit e opozitës parlamentare. Mesa di unë janë bërë përpjekje, pavarësisht si mund të konsiderohen nga ana juaj apo nga ana e qeverisë”, tha Meta. Në vijim, Konferenca e Kryetarëve shqyrtoi dhe miratoi Kalendarin tre javor të Punimeve të Kuvendit për periudhën 18 tetor-8 nëntor 2013. Seanca e radhës do të mbahet ditën e enjte, më 17 tetor 2013, ora 10:00.

Advertisement