Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një pritje për ambasadorët e akredituar në Tiranë në sallën e rikonstruktuar të konferencave në ambjentet e Kryeministrisë. Shefi i qeverisë e ka nisur fjalën e tij me kujtimet e rrugës së vendit drejt demokracisë, të cilat dëshmojnë se Shqipëria ka pasur jo pak vende, ambasadorë të vendeve të mëdha apo të vogla që janë përfshirë emocionalisht në zhvillimet e popullit shqiptar. “Kjo është e vërteta se në tërë këto vite lirie të vështirë, ky vend ka pasur fatin të ketë pranë edhe jo pak përfaqësues të këtushëm të botës së atjeshme demokratike ku duam medoemos të integrohemi, ambasadorë vendesh të mëdha e më të vogla, të cilët janë përfshirë emocionalisht në fatet e popullit shqiptar apo edhe individëve të zakonshëm të këtij vendi”, u shpreh kryeministri Rama duke vijuar më tej se “Të tërë këta kalimtarë të vëmendshëm që kanë lënë gjurmën e tyre në jetën e trazuar të këtij vendi, meritojnë të gjithë mirënjohjen tonë, jo thjesht ndaj tyre po ndaj botës së vlerave e parimeve të shoqërive që ata denjësisht përfaqësuan në Shqipëri. Si qytetar shqiptar që i ka jetuar dhe përjetuar intensivisht këto dy dekada të jashtëzakonshme suksesesh e dështimesh; Si njëri prej 140 përfaqësuesve lirisht të zgjedhur të popullit shqiptar, në zgjedhjet që mbyllën më në fund epokën e votave të vjedhura e të rezultateve të fabrikuara nëpër gjykata; Si kryeministri këtij vendi ku për të dytën herë, pas vitit 1992, u votua jo thjesht për të ndërruar partitë në pushtet po për t’ia kthyer pushtetin qytetarëve; Ju uroj plotpërzemërsisht mirëseardhjen në këtë sallë që sot e përurojmë të ripërtërirë në përmbajtje e dukje, si shenjë respekti për vlerat arkitektonike që kjo hapësirë përmban dhe për mysafirët e kësaj godine që këtu do t’i mikpresim siç u takon. E dua para së gjithash t’ju falenderoj sinqerisht; Për çdo ndihmë të madhe a të vogël për Shqipërinë e këtyre viteve në qëndrime, dije njerëzore a burime financiare; Padyshim, për të gjitha orët tuaja të mira në ditët tona më të vështira përgjatë njëzetë vitesh që kanë kaluar shumë shpejt, po që shpesh janë dukur pafundësisht të gjata; Dhe sidomos, dua të falenderoj të gjithë ata ndër ju që nuk kanë reshtur së besuari tek shqiptarët si pjesë e familjes evropiane, edhe kur Shqipëria nuk ka ditur të jetë para botës e denjë për ëndrrat, shpresat dhe vlerat e popullit të saj.” Kryeministri Rama u shpreh se 1 milione votat e marra nga Aleanca per Shqiperine Europiane jane nje thirrje per klasen politike qe te mesoje nga e djeshmja, jane angazhimi për t’iu kthyer shqiptarëve besimin tek politika, ligji, shteti, për t’i përfaqësuar ata denjësisht para botës. “Ne duam të integrohemi në Bashkimin Evropian. Po për ne Shqipëria nuk është në ndonjë tren që shkon drejt Evropës, por është pjesë natyrale e saj dhe Evropa është një destinacion brenda nesh; Ku mbërrihet jo vetëm duke përafruar legjislacionin me Bashkimin Evropian, po dhe duke e bërë, njëkohësisht e në radhën më të parë, zbatueshmërinë e ligjit rregull të bashkëjetesës sonë në Shqipëri.”, tha kryeministri. Duke e cilesuar marredhenien me perfaqesuesit e vendeve mike dhe partnere si nje dashuri te veshtire, kryeministri Rama tha se pjese e saj jane te vertetat ndonjehere te hidhura, si korrupsioni dhe krimi I organizuar. “Do të mund të thuheshin shumë gjëra për një “tough love”, po me siguri është një dashuri ku të vërtetat që thuhen mes palëve janë vërtet të hidhura. Ajo e korrupsionit dhe krimit të organizuar, është njëra prej tyre në këtë “tough love” të gjatë mes nesh, mes jush, evropianëve të Bashkimit Evropian, dhe nesh, evropianëve që jetojmë mu në mes të Evropës së Bashkuar. Por një “tough love” është me siguri edhe një dashuri ku të vërtetat e thëna, nxisin forcimin e bashkëpunimit. E ne synojmë ta intensifikojmë bashkëpunimin që tanimë ka hyrë në një stad të ri me shprehjen e gatishmërisë së palëve, Shqipërisë dhe SHBA, për ngritjen e njësive të përbashkëta hetimore dhe mbështetjen për Prokurorinë e Përgjithshme në luftë kundër korrupsionit. Po ashtu, është lajmëruar tanimë edhe nisja projekteve të përbashkëta me BE si PAMEKA 4, ndërtimi i pikave kufitare apo binjakëzimet në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndërkohë, brenda Nëntorit, do të organizojmë një Konferencë Ndërkombëtare për Antikorrupsionin dhe jam shumë i gëzuar të ndaj me ju bashkëpunimin e nisur, jo vetëm për këtë konferencë po edhe për përvijimin e një projekti inovativ antikorrupsion me BERZH-in dhe IDLO-on. Lejomëni ta ndaj me ju edhe këtu sot bindjen time se sidoqoftë në luftën kundër korrupsionit arma e drejtësisë janë të pazëvendësueshme, por ama në thelbin e vet kjo luftë ka modernizimin e shtetit, demokratizimin e institucioneve e të ekonomisë, efektshmërinë dhe transparencën e shërbimeve për qytetarin. Korrupsioni bëhet epidemik jo thjesht aty ku drejtësia është e dobët, po në radhë të parë aty ku shteti është anemik e i pafuqishëm për t’iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve dhe për t’iu kundërpërgjigjur korrupsionit. Në një vend të qeverisur padrejtësisht ku sundon klani, klientela, farefisi e tarafi, rruga e kërkimit të drejtësisë në dyert e organeve të drejtësisë është iluzore për shumicën e pambrojtur. Ja pse ne jemi të përgatitur për reforma të thella e jo vetëm në letër, dhe jemi vendosmërisht të përcaktuar për ndërtimin dita-ditës të një kulture të re qeverisëse – antikorrupsion në mendësi e në veprim.” Kryeministri ka adresuar edhe ceshtjen e Sirise duke shprehur serish qendrimin e qeverise, por nuk ka lene menjane edhe marreveshjen mes Kosoves e Serbise e cila e ka futur rajonin ne nje faqe te re. “Diplomacia është aq e fuqishme sa nëpërmjet paqes çaktivizon armët më të rrezikshme të luftës, do të thoshte Sekretari i Shtetit John Kerry. Qëndrimi ynë ndaj regjimit të Asadit dhe masakrës kundër popullit në Siri, është i njohur e identik me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të cilave, siç e sigurova Presidentin Obama, do t’u jemi gjithnjë në krah. Ne jemi shumë të vegjël për të vendosur cilindo fat tjetër përveç tonit në këtë botë të madhe, por fati ynë është diçka shumë e madhe për të mos qenë krah për krah Shteteve të Bashkuara me kontributin tonë të vogël. Pa Shtetet e Bashkuara në krah të shqiptarëve në luftën e tyre të drejtë për lirinë e pavarësinë e Kosovës, sot nuk do të ishte këtu edhe përfaqësuesi i nderuar i shtetit të Kosovës, si pjesë e trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri. Pa Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të mëdhenj të NATO-s që u vendosën në krahun e duhur të historisë duke luftuar për të drejtën e vjetër të shqiptarëve, sot nuk do të ishim as dëshmitarë të një historie të re paqeje dhe stabiliteti në rajon. Por pa mbërritur deri këtu, s’do ta kishim kaq të prekshme edhe provën e madhe të një të vërtete të thjeshtë e të kahershme, se lufta e armatosur për të çliruar popullin shqiptar të Kosovës nga regjimi barbar i Beogradit, do të sillte jo vetëm lirinë e vetëvendosjen e shqiptarëve në Kosovë po edhe paqe shumë më të qëndrueshme për rajonin. Falë marrëveshjes së madhe mes Kosovës e Serbisë dhe lidershipit të kryeministrave Thaçi e Daçiç, sot rajoni ynë ka hyrë në një faqe të re të historisë së tij. Sfida jonë e përbashkët, e të gjithëve bashkë, në Tiranë, Prishtinë, Beograd, Podgoricë, Shkup, Sarajevë, natyrisht Zagreb e Bruksel po ashtu, është që kësaj hapësire të madhe paqeje t’i japim përmbajtjen e zhvillimit ekonomik e social rajonal.” vijoi kryeministri Rama fjalën e tij para ambasadorëve. “Ashtu siç ka padyshim forca që jetojnë mbi hartat e prodhuara në punishtet e nacionalizmit të një të shkuare që bëhet përditë e më e shkuar, ka edhe forca e zëra që nga jashtë kufijve të Ballkanit i friken ndryshimit të kufijve brenda tij. Të parët duhet të mos i harrojmë, të dytët duhet t’i ndihmojmë të harrojnë. Të mos harrojmë të parët do të thotë të integrojmë rajonin mesveti përmes rrugësh të përbashkëta zhvillimi dhe të integrohemi duke ecur më shpejt drejt Bashkimit Evropian. Të ndihmojmë të dytët të harrojnë do të thotë të provojmë përmes rrugëve të reja të bashkëpunimit e të zhvillimit rajonal, se kufijtë nuk janë mure që duhen shembur po vija të padukshme ku qarkullojnë njerëzit, idetë, mallrat. Por ne, evropianët e Ballkanit të mbetur ende jashtë derës së Bashkimit Evropian, nuk mund ta bëjmë vetëm as të parën as të dytën. Sepse kjo paqe është shumë e madhe për të qëndruar gjatë në këmbë vetëm me forcat e brendshme ekonomike e sociale të rajonit.” Rritja ekonomike e Shqiperise dhe rajonit dhe masat e menjehershme per te ndalur rrenimin e vendit ishin pjese e fjales se kryeministrit Rama, “Shqipëria sot ka një ekonomi në krizë të thellë dhe shqiptarët sot nuk kanë nevojë për mjaltin e ëmbël të gënjeshtrave po për ilaçin e hidhur të të vërtetave. Tamam si në një “tough love”. Kush e do Shqipërinë dhe kush do rritje ekonomike, punësim, zhvillim të pagënjeshtërt e të qëndrueshëm, sot duhet ta shohë të vërtetën në sy. Ekonomia është e mbërthyer nga një ngërç i madh që ka kapur buxhetin e shtetit, arka praktikisht është bosh; që ka kapur sipërmarrjen, biznesi praktikisht është i lidhur pas një zinxhiri borxhesh që shteti u ka kompanive – qoftë në formën e punëve të papaguara, qoftë në formën e TVSH-së së parimbursuar, qoftë në formën e detyrimeve të tjera të papaguara ku spikasin frikshëm detyrimet ndaj sektorit energjitik; kësisoj ngërçi ka kapur edhe bankat që kanë para po nuk japin dot më kredi, në kushtet kur kreditë e këqija kanë prekur nivelin e 25%. Por as jemi në gjendje të pashpresë dhe as na mungojnë zgjidhjet për ta ndalur rrënimin, për ta çliruar ekonominë nga ngërçi dhe për të rimarrë rrugën e rritjes ekonomike.” Me vleresimet per donatoret e huaj kryeministri Rama tha se qeveria është e vendosur ti ëprgjigjet të gjitha ndjeshmërive të partnerëve për çdo problem. Ne jemi të vendosur për të rivendosur rendin ligjor në ekonomi, tha kryeministri. “Politika jonë e jashtme tashmë i ka të hedhura qartësisht hapat e saj në ndërtimin e trekëndëshit të partneritetit strategjik me Italinë, Turqinë e Greqinë. Të treja këto vende me lidhje të hershme historike, kulturore, politike e ekonomike me vendin tonë. Për shkak të këtyre lidhjeve; interesit reciprok të përhershëm që ka ekzistuar mes nesh; pozicionit kyç të secilit prej nesh në pellgun mesdhetar dhe ndjeshmërive e përgjegjshmërive të përbashkëta euro-atlantike, besoj se bashkëpunimi strategjik në këtë trekëndësh të politikës së jashtme, sjell një dinamikë të re sigurie, zhvillimi e kooperimi në Ballkan e më tej. Në tërësinë e mundësive të krijuara nga kjo politikë e jashtme dinamike, ne padyshim qëndrojmë bashkë me Kosovën. E cila është partnere kryesore dhe një burim frymëzimi për ne e të gjithë rajonin. Jo vetëm për si ka adresuar me sukses, pas eksperiencash fort të dhimbshme, çështje si ajo e sigurisë apo dhe pakicave, por veçanërisht për pjekurinë e treguar në marrëveshjen me Serbinë. Të ardhmen ne e shohim veçse të përbashkët në Bashkimin Evropian, krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e me Bashkimin Evropian, të dy aleatë strategjikë, partnerë kryesorë, të përhershëm e të pazëvendësueshëm të Shqipërisë. Aleatë që dhe nëpërmjet ambasadorëve i kanë dhënë Shqipërisë miq të vyer, si Ambasadori Sequi dhe Ambasadori Arvizu; të dy shembuj mbresëlënës të mënyrës se si e kanë zhvilluar bashkëpunimin me vendin tonë e me ne shqiptarët, përmes atij “tough love” që jo vetëm për ne, po edhe për vetë ata do të mbetet në kujtesë si një eksperiencë unikale.” Shqiperia si nje vend që vlen jo vetëm të vizitohet, por edhe te jetohet, ka plot për të treguar për kontribute që sot janë shumë më të pëlqyeshme se ëndrrat e së ardhmes ka perfunduar kryeministri Rama.