Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri zhvilloi sot një takim me ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Z. Hellmut Hoffmann. Z.Gjiknuri e njohu ambasadorin me prioritetet e programit të qeverisë në kuadër të fushës së energjisë dhe industrisë. Ai vuri theksin tek mirëmenaxhimi i burimeve natyrore, menaxhimi i krizës financiare në sektorin energjetik, ashtu sikurse edhe tek zbatimi i politikave në interes të publikut. Z.Gjiknuri shprehu angazhimin e tij të plotë për të krijuar një frymë sa më pozitive për investitorët e huaj në vend. Duke u ndalur konkretisht në projektin e ndërtimit të linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë, e financuar nga Banka gjermane Kfë, Z.Gjiknuri shprehu vendosmërinë për ta bërë atë sa më shpejt realitet, duke garantuar mos përsëritjen e problemeve të hasura në të shkuarën. Z.Gjiknuri u shpreh se një ndër prioritetet më të rëndësishme të punës së tij është rritja e transparencës në procedurat e koncesioneve dhe kontratat e nënshkruara në fushën e energjisë, minierave dhe hidrokarbureve. Në vlerësimin e tij, qytetarët duhet të kenë informacion për kompanitë që marrin pjesë, mënyrën e përzgjedhjes, cilët janë fituesit dhe se si po zbatohen këto kontrata. Ndërkaq, ministri shfaqi interes për të siguruar nga pala gjermane mbështetje teknike, me qëllim rritjen e transparencës dhe efikasitetit në punën e institucionit e strukturave në varësi, ashtu sikurse edhe mbështetje financiare në projektet e fushës energjetike. Nga ana e tij, ambasadori Hoffmann duke e theksuar energjetikën si një fushë kyçe, shprehu gatishmërinë për të çuar përpara projektet e përbashkëta ashtu sikurse edhe për të dhënë ndihmesë në aspektin teknik. Ambasadori nënvizoi se rregullat e qarta ligjore janë rruga e duhur për të garantuar sigurinë e investitorëve të huaj.