Menjëherë pas betimit të zhvilluar në ambjentet e Presidencës, Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga kabineti i tij qeveritar, ka ecur përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në drejtim të kryeministrisë. Përpara qindra simpatizantëve Kryeministri ka mbajtur fjalën e tij ku ka shprehur mirënjohje për një milion shqiptarët, nga Tropoja deri në Konispol, që më 23 qershor votuan “Aleancën për Shqipërinë Evropiane”, por edhe respekt, për të gjithë ata që më 23 qershor nuk e votuan “Aleancën për Shqipërinë Evropiane”.
“Qeveria e re që sapo është betuar, është qeveria e të gjithë shqiptarëve dhe do të qeverisë për të gjithë shqiptarët. Ne jemi zgjedhur për të bashkuar, jo për të ndarë. Ne do të bashkojmë, nuk do të ndajmë. Ne jemi zgjedhur për të shërbyer dhe jo për të rrëmbyer; dhe ne do të shërbejmë dhe do të jemi shembull në luftën kundër padrejtësisë dhe korrupsionit. Ne jemi votuar për t’i dhënë të gjithë së bashku Shqipërisë sonë të dashur, atdheut tonë të përbashkët, energjitë që të ecë më shpejt për një Rilindje Shqiptare dhe të mos humbasë vite të tjera pa fund në rrugën drejt ëndrrës së Shqipërisë Evropiane, drejt Bashkimit Evropian, drejt përmbushjes së atij amaneti që vjen nga larg dhe që është edhe misioni ynë.”, është shprehur Rama në fjalën e tij.
Duke theksuar se Rilindja nuk vjen brenda natës Rama tha se për këtë nevojiten të gjithë qytetarët së bashku.
“Prandaj, ne do qeverisim me njerëzit dhe për njerëzit.
Për ne, këtu mbaron koha e fjalëve në opozitë dhe fillon koha e punës në qeveri.
Puna e opozitës është fjala. Fjala e qeverisë është puna.
Duke ju falenderuar që të gjithëve, unë ju siguroj edhe njëherë tjetër se këto zyra dhe të gjitha zyrat do të jenë tonat, por pushteti do të jetë përsëri i juaji.
Shumë faleminderit edhe një herë të gjithëve ju, të gjithë atyre që na dëgjojnë në të gjithë Shqipërinë dhe të gjithë bashkëatdhetarëve tanë kudo që janë.
Ëndrra ka filluar në dhjetor të vitit 1990 me thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” dhe ne jemi këtu për këtë ëndërr, që duhet të vazhdojë dhe do të vazhdojë më e gjallë dhe më e fuqishme se asnjëherë.”