Tiranë | Basha: do dëgjohet dhe respektohet zëri i çdo anëtari

Kreu i ri i PD-së, Lulzim Basha, falenderoi sot të gjithë mbështetësit për besimin e madh që i kanë dhënë, duke e zgjedhur në krye të PD. Në një konferencë për mediat, nga selia blu, Basha, falenderoi anëtarësinë e PD-së për “për besimin e jashtëzakonshëm që më dhatë me votën tuaj për të marrë përsipër përgjegjësinë për drejtimin e PD-së, Partisë së vlerave dhe idealeve më të larta në historinë e Shqipërisë, forcës politike të shëmbjes së komunizmit dhe eliminimit të pasojave të tij, Partisë së pronës, iniciativës së lirë dhe sipërmarrjes, të integrimit euoatlantik dhe interesit kombëtar të shqiptarëve, të infrastrukturës rrugore dhe energjetike, investimeve dhe zhvllimeve strategjike”. Basha tha se “jam thellësisht i vetëdijshëm se sa përgjegjësi e madhe është që të drejtosh një forcë që ka lindur nga lëvizja historike e dhjetorit të ’90, një parti që ka bërë histrinë e re të Shqipërisë, që është udhëhequr nga Sali Berisha, një partie që ka patur në krye të saj që prej fillimit elitën e mëndjes, shpirtit dhe kurajos për ta bërë Shqipërinë e lirë dhe demokratike si gjithë Europa”. Duke u ndalur te gara dhe procesi i votimit “një anëtar, një votë”, Basha tha se “ne demokratë ju dëshmuam sërisht bashkëqytetarëve tanë se jemi përfaqësuesit më të denjë të vlerave, parimeve dhe praktikave të lirisë të demokracisë dhe dinjitetit njerëzor”. Përsa i përket kandidatit tjetër në këtë garë, Sokol Olldashi, Basha tha se “falenderoj Sokol Olldashin në këtë garë, gjë që tregoi vlerat e patjetërsueshme dhe unike të PD. Në këtë garë ishim dy kandidatë që shpalosëm vizionet para gjithë demokratëve. Por në fillim, gjatë dhe në përfundim të kësaj gare, ne nuk harrojmë që jemi të gjithë demokratë, anëtarë të një familjeje, më të vendosur dhe më të bashkuar se kurrë”. Duke u ndalur te projekti i tij për drejtim e PD-së, Basha nënvizoi se në projektin e fillimit të ri PD do mbështet fuqishëm te palca e saj, anëtarët e militantët e përkushtuar në vite, duke dëgjuar dhe respektuar zërin e çdo anëtari dhe lartësuar gjithëpërfshirjen. “Në përpjekjen time për ta drejtuar këtë fillim të ri, do të jap gjithçka me përkushtimin më të madh, vendosmërinë më absolute dhe përgjegjësinë më të lartë ndaj jush, anëtarëve dhe militantëve të PD. Do mbështetem fort te vizioni, kurajo dhe qëndresa historike e themeluesve, Azem Hajdarit dhe qëndrestarëve të tjerë, te energjia e pamatë e militantëve dhe anëtarëve, te përvoja e drejtuesve sot e ndër vite, te pasuria e vlerave të lidershipit historik, Sali Berishës”, deklaroi kreu i ri i PD-së. Ai garantoi se “do punoj që PD, e lindur nga ëndrrat e të rinjve shqiptarë, të vazhdojë të jetë forca e ëndrrave të tyre, gjeneratës së lirisë, se bashkë me ta kemi fituar, bashkë me ta do i japim krahë fitoreve të ardhshme”. Basha vuri në dukje se PD-ja do të ndërtojë një opozitë të fortë, ballore dhe alternative, ku shqiptarët do mund të gjejnë përkrahje. “Detyrat që na presin nuk janë të lehta, sfidat janë të mëdha. Por gjatë rrugës tonë 23 vjecare kemi treguar se sa herë kemi qenë të bashkuar, të vendosur, jemi përballuar me sukses dhe kemi fituar. Ne do të ndërtojmë një opozitë krijuese, të fortë, ballore, por edhe alternative. Për çdo problem, në çdo sektor, shqiptarët do shohin alternativën, projektet dhe zgjidhjet tonë. Do të jemi çdo ditë kudo me qytetarët, elitat lokale dhe mediat në mbrojtje të interesave publike si dhe me të përndjekurit, pronarët, bzinesin e vogël dhe të mesëm, botën akademike, gratë shqiptare, rininë, të moshuarit, pakicat, në krah të çdo qytetari që ndihet i cënuar nga pushteti politik i votës së deformuar dhe të vjedhur dhe besimit të përdhosur të 23 qershorit”, deklaroi Basha. Ai tha se ne jemi partia e vlerave të mëdha perëndimore, që beson te sipërmarrja e lirë, te shtresa e mesme, të forca krijuese e individit dhe taksave të ulta dhe konkurenca e ndershme. Në përfundim, Kreu i ri i PD-së, tha se “rrugëtimit tonë të ri së bashku, me ballin lart për vlerat tona, të shkuarën, të sotmen dhe misionin e të ardhmes, t’u japim shqiptarëve, jo vetëm një opozitë të fortë dhe të vendosur, në mbrojtje të interesave të tyre, por t’i japim vendit alternativën e shpresës, për ta rikthyer PD në udhëheqje të projektit tonë historik për Shqipërinë moderne, të zhvilluar dhe Evropiane”.

Advertisement