Ka vdekur mbrëmjen e së hënës në Romë këngëtari i madh italian Little Tony. Këngëtari me emrin e vërtetë Antonio Ciacci, është i njohur edhe për publikun shqiptar me këngën e famshme “Cuore Matto”. Ai u nda nga jeta në moshën 72-vjeçare për shkak të një sëmundjeje të rëndë. Little Tony ndodhej i shtruar në spital prej tre muajsh pasi vuante nga një tumor. Pas dhënies të lajmit të keq me mijëra dashamirës të tij e kujtojnë për performancat e shkëlqyera ndër vite, por edhe për faktin se ai konsiderohej si Elvis Presley italian.
Fillimisht Tony është shfaqur për publikun në Sanremon e vitit 1961. Kënga “24 mila baci” u klasifikua në vendin e dytë në atë konkurrim. Një sukses të madh diskografik arriti në vitin 1962 me “Il ragazzo col ciuffo”. Në të njëjtin vit, sjell për publikun edhe të famshmen “So che mi ami ancora”. Kulmin e vërtetë këngëtari e pati me këngën “Cuore Matto”, e cila fitoi edhe Sanremon e vitit 1968 dhe më pas qëndroi për 12 javë në krye të klasifikimeve.