Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Adrian Hoxha, bëri të ditur sot se janë 15 raste të identifikuara të malarjes, me një fillesë të shfaqjes së sëmundjes prej 2 vitesh. Hoxha tha në një konferencë për shtyp se rastet janë të importuara, në dy raste nga Greqia, numri më i madh nga Guinea Ekuatoriale dhe një rast nga Kameruni, që kanë të bëjnë kryesisht me lëvizjen e njerëzve. “Pas një farë kohe nga qëndrimi i tyre në këto shtete, personat kanë marrë dhe sëmundjen e malarjes. Një pjesë e tyre janë diagnostikuar dhe trajtuar, një pjesë e tyre kanë ardhur në vend, janë evidentuar dhe trajtuar në Klinikën e Infektologjisë”, tha Hoxha, duke theksuar se nuk ka vend për panik. Hoxha sqaroi se shumica e rasteve kanë kaluar në ISHP, ku dhe janë vaksinuar sipas ligjit para se të shkojnë në këto zona, si dhe janë këshilluar përsa i përket medikamenteve të veçanta si profilaksi në lidhje me këtë problem. “Por pothuajse në të gjitha rastet ka pasur një mospërdorim të medikamenteve për profilaksi, apo përdorim jo të rregullt të tyre, gjë që ka sjellë kontaktin dhe ballafaqim me këtë rast”, tha Hoxha. Sipas tij, 15 rastet e identifikuara tashmë janë të zgjidhura nga pikëpamja klinike dhe mbahen në survejancë, duke qenë të vëmendshëm për të qenë korrektë me ndjekjen e tyre. Ndërkohë, Hoxha theksoi se aktualisht nuk ka raste të transmetimit të malarjes në vend nga njeriu tek njeriu. “Sot që flasim është e rëndësishme të themi që nuk ka rast të transmetimit të malarjes në vendin tonë nga personi i infektuar tek njeriu dhe kjo ka të bëjë me numrin e tyre të vogël, që nuk mundet të ndikojë në proces”, theksoi Hoxha.