Tiranë | Vollfarth apelon për dialog politik

alt

“Partitë politike duhet të kenë dialog dhe ndërveprim për të bërë të pamundurën për rritjen e besueshmërisë dhe ligjshmërisë së KQZ-së”, theksoi të martën Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Vollfarth. Në një prononcim për shtyp pas një aktiviteti të zhvilluar në Qendrën e Formimit Policor, ambasadori Vollfarth tha se, “çështja e KQZ-së duhet të jetë në krye të axhendës. Kjo nevojitet për zgjedhje të mbara dhe për një proces të mbarë zgjedhor. Gjithashtu, kjo është një thirrje e fortë për të dyja kampet politike që të bëjnë, në mënyrë konstruktive, atë që nevojitet për të siguruar një proces të mirë të përgatitjes së zgjedhjeve, me përfshirjen e të gjitha kampeve”. “Tani është shumë e rëndësishme që qeveria, pra shumica, të bëjë përpara për të krijuar një atmosferë që lejon për hapa të mëtejshëm, ashtu sikurse është e rëndësishme që opozita të paraqesë pjesë konstruktive të këtij dialogu, për të plotësuar anëtarësinë e KQZ-së”, theksoi Vollfarth duke shtuar se ky ndërveprim është shumë i nevojshëm. “Pra, më lejoni të ritheksoj se duhet të punohet për të rritur besueshmërinë dhe ligjshmërinë e KQZ-së. Ajo mund të funksionojë siç është tani, por duhet bërë më shumë dhe për këtë nevojitet ndërveprimi pozitiv i partive politike”, përfundoi Vollfarth.

Advertisement