Tiranë | Rama: qytetarët duhet të presin 160 vjet për legalizimet e Berishës

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, u shpreh sot, gjatë tryezës së organizuar nga PS mbi procesin e legalizimeve, se “që nga 2005 deri sot kjo qeveri ka legalizuar më pak se 5% të të gjithë ndërtimeve pa leje”. Sipas kreut socialist, “që këta ta mbarojnë procesin, në radhë të parë qytetarët e Bathores, sepse aty e kanë mbështetjen më të madhe, duhet të presin edhe 160 vjet”. Zgjidhni e merrni, iu drejtua ai qytetarëve, “mund të vazhdoni me idenë se ky ‘asht i joni’, por vetëm i juaji s’është ai sepse ai ka kohë që ka ikur në drejtim të paditur”. Duke folur për Kryeministrin Berisha, Rama u shpreh se “me siguri do të vijë, në mos ka ardhur dhe do t’u thotë me vrap se është kohë legalizimi. Sepse sa herë hapet votimi ju thotë do të bëhet legalizimi, por kur mbaron votimi ikën edhe legalizmi, sepse ju i nevojiteni atij të palegalizuar”. “Legalizmi duhet të kishte përfunduar për dy arsye të mëdha. E para sepse unë, së bashku me një grup, kemi propozuar të parin projekt legalizimi në këtë vend që në vitin 2002, kur askush nuk e kishte idenë se si mund të bëhej legalizimi, për të garantuar jo vetëm që nuk ju shemben shtëpitë sepse as Enver Hoxha po të ngjallej nuk ua shembte dot, por që shtëpitë të kthehen në asete të kapitalizueshme dhe nëpërmjet atyre aseteve të marrin familjet kredi. Dhe nga ana tjetër që ky proces të merrte fund. Nuk u plotësua as njëra, as tjetra”, tha Rama. Sipas kreut të opozitës, “nga 250 mijë ndërtime pa leje, sot po e lënë Shqipërinë me 400 mijë ndërtime pa leje. Me një numër qesharak legalizmesh përkundër numrit që kërkojnë legalizim”. “E gjetën kuadrin ligjor me një ligj që nuk ishte operativ dhe kishte nevojë për shumë elementë të tjerë dhe po e lënë sot me një kaos ligjor, që i vë në rrezik ato legalizime që bëhen. Po ashtu, nuk bën asnjë përpjekje për ta shoqëruar këtë proces me plotësimin e atyre kushteve, për të cilat ju zbritët nga të gjitha anët e vendit për në Tiranë”, u shpreh Rama. Sipas kreut socialist, procesi i legalizimeve është proces kompleks dhe nuk lidhet vetëm me copën e letrës, që të thonë “ja ku e ke mos ki frikë se shtëpia nuk do të shembet”. Ndërsa për urbanizmin, Rama u shpreh se “po të shohim vetëm periferinë, Kamzën, Paskuqanin, Kënetën e Durrësit, Saukun, Kodrën e Priftit nga lart në hartë për të parë se është bërë pak ose aspak. Bëhen ca rrugë që kanë një emër që lidhet me Saliun dhe ngulen menjëherë aty flamurët e PD në vend të shtyllave të ndriçimit dhe aty mbaron. Ajo që në fakt nuk ka ndodhur është që këto ndërtime pa leje të bëhen asete të kapitalizueshme dhe këto zona të bëhen zona urbane”. “Nga kapitalizimet do të çlirohen 3 miliardë euro asete ka thënë Kryeministri. Por nga 3 miliardë euro të premtuara janë mbledhur nga procesi i legalizimeve më pak se 5 milionë euro. Ndërkohe që 300 ushtarë partie kanë 5 vjet që merren me këtë proces në zyrat e Aluiznit etj, që i kushtojnë 3 milionë euro në vit këtij shteti. Që kur e kanë filluar këtë punë, 15 milionë euro i keni paguar vetëm këta që e kanë shkatërruar këtë proces, që e kanë kthyer në proces grabitjeje”, tha Rama.

Advertisement