Tiranë | Përurohet memoriali “Post-bllok”, simbol i izolimit komunist

Tirana do të ketë që sot një memorial i cili simbolizon izolimin komunist, të titulluar “Post – Bllok”. Memoriali përbëhet nga tre objekte autentikë: bunkeri i instaluar pikërisht në këtë vend, në hyrje të Bllokut qysh në kohën e diktaturës, shtyllat e galerisë, të marra nga miniera e kampit famëkeq të persekucionit, i cilësuar edhe si “aushvici” i shqiptarëve, ai i Spaçit dhe një copë nga muri i Berlinit, dhuratë që i është bërë Bashkisë së Tiranës nga Bashkia e Berlinit. Ky memorial i ideuar nga ana artistike nga Fatos Lubonja dhe Ardian Isufi vjen si homazh për të gjithë ata që vuajtën izolimin dhe persekutimin komunist por edhe si kujtesë për të shkuarën tonë jo të largët. Kryeministri Sali Berisha tha gjatë përurimit të memorialit për Simbolet e Diktaturës “Post-bllok” se “ky memorial është një kujtesë e vuajtjes dhe martirizimit të shqiptarëve nën diktaturën totalitare”. Kreu i qeverisë u shpreh se, “artistët kanë përzgjedhur këtu në mënyrën më të qëlluar simbolet më të goditura. Në Tiranë nuk kishte mure, por kishte tela me gjemba. Por në Tiranë dhe në Shqipëri kishte diçka tjetër që nuk ekzistonte në asnjë nga vendet e tjera ish-komuniste dhe kjo diçka tjetër ishte bunkeri. Shqipëria në tragjedinë e saj shndërroi pothuaj të gjitha pasuritë që krijonte në qindra mijëra bunkerë, të cilët po t’i kthesh në blloqe të piramidave, ndoshta do të ndërtonin dy herë piramidat e faraonëve”, tha ai. Kryeministri Berisha, duke shprehur mirënjohjen e thellë për këtë instalacion me një simbolikë jashtëzakonisht të fuqishme tha se, “ky memorial i bën nder të madh qytetit dhe vendit tonë. E shkuara shërben më së shumti vetëm për një të ardhme më të mirë, për të projektuar një të ardhme më të sigurtë, prandaj ne shqiptaret kemi shumë arsye që të rikujtojmë të shkuarën tonë në mënyrë që të ndërtojmë të ardhmen që meritojmë”. Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli tha “Dua të falënderoj ata që e bënë këtë kujtesë për njerëzit që e deshën këtë vend, që nuk pranuan as diktatin, as heqjen e fesë, as dhunën e as burgimin”. Ndërsa kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha u shpreh se, “duke kujtuar e mos harruar këtë pjesë të rëndësishme ndonëse tepër të errët të historisë tonë jemi më të qartë për të sotmen e të ardhmen tonë, pasi është e domosdoshme kjo për brezin e ri”, tha Basha.

Advertisement