Kryeministri Sali Berisha mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të rikonstruksionit të segmentit rrugor Gramsh-Kodovjat. Gjatësia e rrugës së rikonstruktuar shkon në 13,4 kilometra, ndërsa gjerësia është 5 – 6 metra. Përfitues të këtij rikonstruksioni janë 13 mijë banorë në komunat Kodovjat, Pishaj. Në fjalën e tij, kryeministri Berisha theksoi se kjo rrugë është një investim prej rreth 500 milion lekësh, një nga investimet më të rëndësishme në rrethin e Gramshit. “Qeveria është përqëndruar më shumë se çdo gjë tjetër në ndërtimin e një infrastrukture moderne, sepe në këtë vend nuk ka asnjë pëllëmbë tokë për t’u braktisur. Në Gramsh, Mokër, Dukagjin, Tropojë e kudo, kusht vendimtar është infrastruktura, shkollat, ujësjellësat, vaditja, kanalizmet, pasi toka vetë është pjellore, klima është e mrekullueshme, mundësitë janë të mëdha për të dalë nga varfëria dhe për të ndërtuar një jetë me mirëqenie. Ndaj dhe gjatë këtyre viteve në rrethin e Gramshit kemi rindërtuar mbi 90 kilometra rrugë. Në rrethin tuaj do ndërtojmë e rindërtojmë çdo kilometër rrugë. Gramshi do lidhet me Maliqin. Rruga e Gramshit do të shkurtohet dhe 10 kilometra të tjera me Elbasnain dhe tuneli i Elbasanit afron Gramshin dhe Kodovjatin me Tiranën”, tha Berisha. Duke folur për punësimin kreu i qeverisë premtoi rritje të punësimit gjatë 4 viteve të ardhshme. “Rruga që ne ndërtojmë është një shans dhe një potencial i madh për punësim, sepse ajo hap tregun dhe bën që prodhimet tuaja të shiten me koston më të ulët të transportit. Gjatë këtyre viteve ne kemi ndërtuar mbi 10 mijë kilometra rrugë, në të cilat kanë punuar jo më pak se 58 mijë forca pune. E tërë përpjekja jonë është të krijojmë sa më shumë vende pune. Në 4 vitet që vijnë do të ketë edhe 250 mijë vende të reja pune. Këtë premtim e kemi shumë real, shumë konkret pasi 4 vitet që shkuan qeveria ka dhënë grante për 42 mijë familje dhe kemi krijuar vende të reja pune”, tha Berisha. “Llogaritë tona për punësimin bazohen në arritjet, që kanë bërë që Shqipëria të jetë i vetmi vend në rajon, që jo vetëm të mos shënojë rritje të papunësisë, por të shënojë ulje të saj. 4 vitet që shkuan Shqipëria mori investime të huaja 316% më shumë se 4 vitet para tyre. 4 vitet që shkuan mori 4.2 miliardë dollarë investime të huaja. 4 vitet që vijnë do të marrë së paku 6 miliardë dollarë investime të huaja me këtë paketë të re lehtësimesh që vendosëm për bizneset. Në 4 vitet që vijnë qeveria do dyfishojë grantin e saj për fermerët dhe do ndërtojë fermat më moderne. Në 4 vitet që vijnë turizmi që ka 4.7 milionë turistë do ketë së paku 6.7 milionë. Në 4 vitet që vijnë Shqipëria dixhitale do të jetë në nivelet më të larta europiane dhe botërore dhe do të punësojë dhjetra mijëra punëtorë. 4 vitet që vijnë do të bëjmë gjithçka për të rritur artizantin. Këto janë llogaritë tona. Këtyre duhet t’u besoni. Mos besoni alternativën tjetër. Është gënjeshtër, gënjeshtër dhe vetëm gënjeshtër”, iu drejtua Kryeministri banorëve të Gramshit.