Përkujtohet sot 50 vjetori i lindjes së heroit të demokracisë, Azem Hajdari, i cili u nda nga jeta 14 vjet më parë, më 12 shtator 1998. Në këtë jubile pritet të zhvillohen disa aktivitete kushtuar protagonistit të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ’90, si akordimi i dekoratës “Urdhëri i Flamurit” nga Presidenti Bujar Nishani dhe një sesion i zgjeruar përkujtimor në Qytetin Studenti, ku do të marrë pjesë dhe kryeministri Berisha. Azem Hajdari, ishte një nga drejtuesit e Lëvizjes Studentore, që çoi në përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri dhe vendosjen e pluralizmit politik. Ai ishte dhe një nga themeluesit e Partisë Demokratike të Shqipërisë, e para parti opozitare. Hajdari ishte deputet i PD-së që nga viti 1991 e deri sa u vra në shtator të vitit 1998.