Ministria e Shëndetësisë ka vënë në gatishmëri kapacitet e saj lidhur me çështjen e kontaminimit të qumështit me alfatoksinë dhe ndikimet e deritanishme në shëndetin e qytetarëve. Ndërkohë, “nga pikëpamja epidemiologjike do të hetohen të gjithë rastet me cirrozë të heparit dhe kancer për të shqyrtuar bashkëshoqërimin midis konsumimit të qumështit dhe patologjisë së shfaqur”, tha sot drejtori i Politikave Shëndetësore në MSH, Pëllumb Pipero. Pipero sqaroi se “autoritetet shëndetësore ndërhyjnë në rastet kur ka indikacione për shtim të pazakonshëm të intoksikimeve, ndodhi të tyre në grupime njerëzish, apo kur ka sinjalizime të pranisë së faktorëve të rrezikut që kërkojnë hetim dhe adresim të menjëhershëm”. “Ne bashkëpunim me autoritetet e sigurisë ushqimore në mundësojmë identifikimin e të gjitha rasteve me problem shëndetësor qe lidhen me shqetësimin në fjalë duke bërë lidhjen shkak-pasojë”. Pipero theksoi se “deri tani nuk kemi asnjë të dhënë që të konfirmojë hipotezën se në Shqipëri është konsumuar qumësht i kontaminuar, me pasojë shfaqjen e patologjive kronike, përfshirë kancerin”. Aflatoksinat janë lëndë toksike të prodhuara nga disa kërpudha të gjinisë Aspergillus dhe ndahen në 4 nëntipe, nga të cilat vetëm njëra është mjaft toksike (Aflatoksina B1). Dëmtimet më së shumti lidhen me mëlçinë, duke shkaktuar cirrozë ose kancer të saj, por natyrisht duhet nënvizuar se kjo gjë shkaktohet nëse qumështi konsumohet për një kohë të gjatë, pasi doza që merret prej tij është shumë e vogël për të shkaktuar intoksikacione të menjëhershme.