Tiranë | Nis shqyrtimi i mandatit të Fidel Yllit

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, nën drejtimin e kryeparlamentares Jozefina Topalli, u mblodh për t’u njohur me kërkesën e Partisë Demokratike për heqjen e imunitetit deputetit të Partisë Socialiste, Fidel Ylli. Në fillim të mbledhjes kryetarja e Kuvendit i bëri me dije anëtarëve të Këshillit për kërkesën e deputetëve të djathtë. Sipas saj, Këshilli do të bëjë verifikimin e papajtueshmërisë me Kushtetutën të mandatit të deputetit Ylli ndërsa në seancën e ardhshme ai mund të paraqitet në një seancë dëgjimore. Duke paraqitur kërkesën, deputeti demokrat Edi Paloka tha se mandati i deputetit socialist është i papajtueshëm me Kushtetutën e vendit. “Deputeti Ylli rezulton të jetë ortaku i vetëm i një radioje në dhjetor të vitit 2009, ndërkohë që ai ishte shpallur deputet, me vendim të KQZ-së, që në gusht të këtij viti dhe siç e përcakton ligji, frekuencat e radiove dhe televizioneve janë pasuri publike”, tha Paloka duke paraqitur kërkesën. Sipas tij, Kushtetuta përcakton që deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse, që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të përfitojnë pasuri të këtyre. “Pas katër muajve, në shkelje të hapur me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, zoti Ylli rezulton të ketë bërë një shitje fiktive të radios, duke e kaluar atë në pronësi të së motrës, në fund të dhjetorit 2009”, citohet kërkesa e deputetëve demokratë. Pas njohjes me kërkesën, kryetarja Topalli njoftoi se në mbledhjen e ardhshme Këshilli do të thërrasë deputetin Fidel Ylli për të dëgjuar shpjegimet e tij, në përputhje me rregulloren e parlamentit.

Advertisement