Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim , Ilir Meta u prit në Bruksel nga Komisioneri Evropian për Politikën e Zgjerimit dhe Fqinjësisë, Stefan Fule, me të cilin diskutuan mbi zhvillimet e fundit politike në Shqipëri. Pjesë e diskutimit gjatë takimit të liderit të LSI-së me diplomatin e lartë europian ishte edhe avancimi sa më i shpejtë i axhendës evropiane të Shqipërisë, mbarëvajtja e administrimit të zgjedhjeve, si dhe roli që Shqipëria luan në rajon. “Meta dhe Fule ndanë të njëjtin mendim se axhenda evropiane e Shqipërisë duhet të mbetet prioriteti kryesor i të gjitha forcave politike në vend”, ku e rëndësishme, sipas tyre “mbetet rritja e angazhimit politik të të gjitha palëve, si dhe realizimi i një procesi elektoral të drejtë e të ndershëm”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të LSI-së. Në përfundim, Meta dhe Fule diskutuan mbi situatën në rajon, për të cilën Meta tha se Shqipëria ka luajtur gjithnjë një rol parësor konstruktiv rajonal dhe se politika e jashtme do të vazhdojë të kontribuojë në rritjen e stabilitetit dhe sigurisë në rajon. Në një pronocim për mediat nga Brukseli, Meta deklaroi se BE është e interesuar që Shqipëria të realizojë zgjedhjet e standardeve më të larta, për arritjen e të cilave, tha ai, Brukseli zyrtar do të japë edhe kontributin tij për të nxitur realizimin e këtyre standardeve.