Tiranë | Homazhe për kryekomisar Dritan Lamaj

Policia e Shtetit ka zhvilluar homazhe për nder të ish-komisarit, i ekzekutuar mbrëmë në afërsi të banesës së tij. Homazhet në nderim të Kryekomisar Dritan Lamaj u zhvilluan në ambientet e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë. Pas homazheve kryeministri Sali Berisha teksa shprehu ngushëllimet për familjen, e cilësoi vrasjen e shefit të policisë, Lamaj një akt barbar që do marrë dënimin e merituar. “Erdha për të shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta për rënien në detyrë të komisarit Dritan Lamaj, njëri nga oficerët e shquar të Policisë së Shtetit Shqiptar. Ky akt kriminal, barbar do marrë të gjithë ndëshkimin e merituar ligjor. Do mobilizojmë çdo burim, çdo mundësi që autorët e këtij akti të shëmtuar të përballen me drejtësinë dhe rreptësinë e ligjit”, tha kryeministri. Pasi u përkul përpara arkivolit të komisarit të ndjerë Dritan Lamaj, kryetari i PS-së, Edi Rama bëri përgjegjëse qeverinë për krimet e rënda që po godasin uniformat blu. Në një prononcim për mediat, Rama theksoi nevojën e marrjes së masave të menjëhershme për tejkalimin e gjendjes së rëndë, në të cilën sipas tij, është zhytur sot Policia e Shtetit. “E treta herë në një kohë të shkurtër që ne vijmë këtu për ti dhënë lamtumirën një shërbëtori të shtetit, një komisari, është e treta viktimë e krimit që e ka vënë përfund shtetin dhe e treta dëshmi ulëritëse e domosdoshmërisë për të kthyer shtetin në krye të detyrës, policia është e braktisur, e tradhtuar, po rrënohet dita ditës dhe përkushtimi dhe heroizmi i shqiptarëve të ndershëm që me uniformën e policit bëjnë gjithçka munden është i pamjaftueshëm nëse nuk mbështetet nga një qeveri dhe shtet që është i vetëdijshëm për çfarë duhet të bëjë dhe që respekton kushtetutën dhe lirinë e qytetarëve për të jetuar të qetë e të pakërcënuar nga krimi”, u shpreh Rama. Dritan Lamaj, efektiv i rëndësishëm në Policinë e Shtetit, mbeti i vrarë mbrëmjen e djeshme, pasi u qëllua me breshëri plumbash në kurriz, rreth orës 18.20 pranë zonës “Vasil Shanto”. Policia e Tiranës bën me dije se, “Menjëherë në vendngjarje shkuan shërbimet e policisë, strukturat për krimet e rënda të Policisë së Shtetit, u formua një grup i posacëm hetimor, të cilët kryen veprimet e para proceduriale duke mbledhur dhe administruar të gjitha provat e vlefshme. Nga grupi hetimor në përbërje të të cilit janë oficerët për hetimin e krimeve të rënda, Prokurorë të Krimeve të Rënda dhe Ekspertë Kriminalist, nga analizimi i ngjarjes dhe i provave të administruara është arritur në konkluzionin se vrasja e kryekomisar Dritan Lamaj, është kryer nga autorët, për shkak të detyrës si punonjës policie”, thuhet në njoftimin e policisë.

Advertisement