Tiranë | PS: plani rregullues, sëpatë për hapësirat e gjelbra

Partia Socialiste, nëpërmjet anëtarit të grupit të punës për programin, Artan Lame kundështoi sërish planin rregullues të kryeqytetit. Gjatë një deklarate për mediat, Lame i cilësoi pjesë të caktuara të këtij plani si “sëpatë mbi hapësirat e gjelbra të Tiranës”. Duke iu referuar edhe shqetësimeve të qytetarëve, sipas tij të mbërritura në selinë e PS-së, ai u përqendrua kryesisht në pikën 32 të planit rregullues, ku siç u shpreh ai, parashikohet zënia e dy skarpatave të gjelbëruara të lumit Lana nga ndërtimi i tramit. “Në vlerësimet që bëhen nuk flitet për ruajtje të parqeve dhe hapësirave të gjelbra ekzistuese, por për krijimin nuk e di se ku dhe si, të hapësirave të tjera”, theksoi ai. Parashikimi në këtë plan, i shfrytëzimit për ndërtim në parkun e Namazgjasë, kur përfshihet edhe ngritja e një godine për institucion fetar, ishte një tjetër shqetësim që përcolli Artan Lame, gjatë këtij komunikimi. Ai tha se, “është e turpshme që një qëllim fetar i respektueshëm për të ndërtuar një tempull fetar, të përdoret si kalë troje për të ngritur pallate”. Me tej ai theksoi se, “koeficienti i shfrytëzimit të tokës për përdorim ndërtimi, shkon 50 deri 70 % në këtë zonë, e cila është e vetmja lulishte e Tiranës e shpallur monument kulture”.

Advertisement