Tiranë | “Gërdeci”, ulet dënimi për disa të pandehur

Gjykata e Apelit në Tiranë shpalli vendimin lidhur me çështjen “Gërdeci”. Sikurse u bë e ditur në seancë, kjo Gjykatë la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, por me disa ndryshime. Kështu, në vendimin e saj, Gjykata e Apelit ka ulur me 1/3 masën e dënimit për të pandehurit Mihal Deliorgji dhe Dritan Minxholli, përkatësisht ish- administratori i shoqërisë “Albademil” sh.p.k dhe ish-drejtori i Fabrikës se demontimit të municioneve në Gërdec, pasi pranoi kërkesën e tyre për gjykim të shkurtuar. Të pandehurit Deliorgji dhe Minxholli ishin dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë me 10 dhe 18 vjet burg. Ndërsa ish-kreu i MEICO-s,Ylli Pinari u dënua me 15 vjet burg, nga 18 vjet që ishte dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë. Ish- shefi i shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë Luan Hoxha u dënua me 5 vjet burg, nga 6 vjet që ishte dënuar në Gjykatën e Shkallës së Parë. Ndërkohë, të pandehurit e tjerë, u dënuan me masa më të lehta, me përjashtim të ish-gjeneralit Shpëtim Spahiu, i cili u shpall i pafajshëm. Ndërkaq apeli ka vendosur po ashtu sekuestrimin e pasurive të Deliorgjit, ndërsa ka rrëzuar vendimin për pafajësi për Rezart Tërshanën duke e dënuar atë me 1 vit burg dhe për Zija Bajën për të cilin janë dhëne tre vite burg. Vendimi i shpallur sot është i formës së prerë, çka do të thotë që është i ekzekutueshëm menjëherë pas shpalljes. Të pranishëm në seancë përveç medias ishin edhe familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit, të cilët e kanë ndjekur proçesin si në Shkallën e Parë ashtu edhe në Apel, si dhe avokatët mbrojtës të të pandehurve. Menjëherë pas pretencës, familjarët të indinjuar edhe nga apeli e kanë cilësuar të turpshëm vendimin për të akuzuarit.

Advertisement