Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës njoftoi se nuk do të ketë koalicion ndërmjet PDK-së dhe AAK-së. Delegacionet e AAK-së dhe të PDK-së, të kryesuara nga Kryetari Ramush Haradinaj dhe Kryeministri Hashim Thaçi, u takuan për të shqyrtuar mundësinë e bashkëpunimit në Qeverinë e Republikës së Kosovës. “Pas shqyrtimit të gjendjes aktuale politike në Kosovë, nuk u arrit marrëveshja e cila do të mundësonte bashkëqeverisjen e PDK-së dhe AAK-së, në rrethanat e tanishme”, thuhet në njoftim. AAK përsërit sërish se do të ofrojë kontributin e saj në adresimin e çështjeve me interes shtetëror, siç janë: Dialogu në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë; Reforma e sistemit zgjedhor dhe Integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian. Si parti opozitare, AAK do të shfrytëzojë të gjithë mekanizmat politikë për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës, dhe për krijimin e rrethanave më të volitshme për Kosovën, për ta siguruar qëndrueshmërinë afatgjatë politike dhe ekonomike të Republikës së Kosovës.

Advertisement