Partia Socialiste organizoi një tryezë mbi rendin, sigurinë dhe mbrojtjen e pronës, ku mori pjesë edhe kreu i saj Edi Rama. Gjatë fjalës së Rama ngriti shqetësimin për mungesën e sigurisë dhe të mbrojtjes së pronës private dhe asaj publike. Sipas tij, në mungesë të impenjimit të strukturave të rendit, po cënohet cdo ditë prona private, ku vuri në dukje numrin e lartë të rasteve të vjedhjeve në banesë. Për rritjen e shifrave të kriminalitetit, Rama cilësoi si përgjegjëse kupolën e policisë së shtetit duke shënjestruar sërish kreun e Rendit, Flamur Noka. “Një polici, nuk mund të jetë garante e pacënueshmërisë së pronës private apo publike, për sa kohë, morali i drejtuesve të saj është përfitimi nga karrigia e pushtetit dhe implikimi në krim i tyre”, tha Rama. Duke bërë publike pjesë të programit të partisë që drejton, Rama vuri theksin mbi strategjinë për parandalimin në gjenezë të krimit, si mënyrë për të minimizuar kështu nivelin e përballjes së policisë me krimin. Në këtë kuadër, ai hodhi idenë e aktivizimit të policisë së terrenit, si strukturë që do të rriste nivelin e sigurisë dhe mbrojtjes së pronës private. “Me ardhjen në pushtet të PS-së, do përmirësohet marrëdhënja e policisë me publikun, në shërbim të këtij të fundit, si dhe do kthejmë këto struktura në garante të ruajtjes së pronës private e publike në cdo km katror të Shqipërisë”, përfundoi kreu i opozitës Edi Rama.